Lajme Shqip Monday, 28 October 2013 15:17

Prishtinë- Ish-kryetari i Kuvendit të BIK-ut, Xhabir Hamiti flet për puçin, siç e quan ai, që ndodhi në mbledhjen e fundit të Kuvendit, për politikën që po e shfrytëzon këtë institucion, për mbajtjen dhe ndëshkimin e zërave kundër dhe në tërësi për rrjedhat e fundit që po ndodhin në kreun më të lartë të këtij institucioni fetar.Sipas tij, si asnjëherë më parë, kjo bashkësi nuk ka qenë në gjendje më të keqe organizative dhe administrative sesa sot, shkruan ‘Kosova Sot’.

“Si institucion i destabilizuar dhe çakorduar, si nga brenda ashtu edhe nga jashtë, me mungesë të vazhdueshme për një qasje të përhershëm dhe stabile, karshi besimtarëve dhe opinionit të gjerë publik, e tërhequr në vete duke i lënë duart e lira të tjerëve jashtë institucionit të BIK-ut, që të merren me çështje të ndjeshme islame në vend të saj. Nuk është bërë asnjë hap konkret dhe serioz për ndryshimin substancial të akteve juridike të brendshme të saj. Statuti i brendshëm i BIK-ut është i gatuar nga brumi i protagonistëve të sistemit të kaluar, e cila ishte përpiluar në vitet e 90-ta në Sarajevë, e me të cilën kjo kryesi ende po krenohet”, ka theksuar Hamiti.

Sipas tij, si kurrë më parë në këtë institucion është krijuar një tollivi e perçarje gjithandej në terren, si rezultat i zhvillimit të zgjedhjeve lokale në janar të vitit 2012, pa rregullore të zgjedhjeve, me qëllim të përjashtimit nga loja të të merituarve dhe zëvendësimit të pamerituarve, për të marrë votën e tyre më lehtë në zgjedhjet qendrore për kryetar të kryesisë.

“Mungesa e një koordinimi të duhur të njerëzve profesionistë brenda për brenda institucionit të BIK-ut, ose edhe të një forumi të gjerë të studiuesve profesionalë, si dhe ika nga përgjegjësitë , që u takojnë udhëheqësve të drejtpërdrejtë, ka bërë që gjatë gjithë këtyre viteve të pasluftës në shoqërinë tonë të shkaktohen laramani qëndrimesh dhe çakordime opinionesh në emër të fesë, nga njerëz dhe grupe interesash me tendenca të huaja destabilizuese për vendin, edhe në aspektin fetar”, ka vlerësuar Hamiti.

I pyetur se pse BIK-u nuk e ka ngritur shumë zërin ndaj ekstremizmit që e zbeh imazhin e fesë islame, Hamiti ka thënë: “Ekstremizmi është përjashtim dhe nuk është pjesë e asnjë feje hyjnore, e aq më pak i fesë islame. Të gjithë ata të cilët mendojnë, kultivojnë, ose veprojnë në emër të fesë, me akte dhunee ose imponimi janë kundër Zotit, kundër fesë në të cilën thirren, si dhe kundër normave etike, morale dhe njërëzore.

Ai thotë se ka pasur raste kur individ të politikës, janë munduar të shfrytëzojnë BIK-un.

“Ka pasur raste të herëpasherëshme kur indivit të politikës janë munduar të shfrytëzojnë BIK-un dhe institucionet e tij për qëllime politke, tentative të cilat nuk janë shuar as sot. Mendoj se BIK-u duhet të vazhdojë të mos jetë pjesë e asnjë agjende politike të politikanëve tanë, sepse vetëm kështu e ruan kredibilitetin e të qenët udhëheqës shpirtëror i të gjithëve”, ka shtuar ai.