Lajme Shqip Saturday, 31 March 2012 14:22

Prishtinë (PLOTESUAR 1 Prill, 13:00)- Lidhja Demokratike e Kosovës dënon fuqishëm rrëmbimin e dy pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dje nga xhandarmëria serbe. Në deklaratën e partisë më të madhe opozitare theksohet se policët Shukri Bunjaku dhe Sami Beqiri po kryenin detyrën e tyre në zonën kufitare në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

“LDK u bën thirrje institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës dhe mekanizmave ndërkombëtarë që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për lirimin e dy policëve të rrëmbyer dhe kthimin e tyre në Kosovë. LDK konsideron se akte të tilla janë tërësisht të papranueshme dhe nuk i kontribuojnë normalizimit të marrëdhënieve dhe fqinjësisë së mirë ndërmjet dy vendeve”.-thuhet në deklaratë.

Po ashtu, LDK-ja fton bashkësinë ndërkombëtare, BE-në, SHBA-në dhe të gjitha vendet e botës demokratike, që t’i bëjnë trysni Beogradit zyrtar për ndaljen e provokimeve të tilla të rënda ndaj Kosovës.

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës shpreh indinjatën per kete rast. “Ky veprim armiqësor i Serbisë vjen si pasojë e nënshtrimit të vazhdueshëm të qeverisë së Kosovës, e cila në vend qe të ndërmarrë veprime konkrete për zbatimin e Kushtetutës së dhe mbrojtjes së integritetit dhe sovranitetit të vendit, del me deklarata të çuditshme dhe bajate, për Serbinë evropiane”, thuhet në deklaratën e AAK-se.

“Pozita inferiore dhe nënshtruese e Qeverisë së Republikës së Kosovës ka lejuar që vendit tonë t’i vritet polici, t’i kindapohet polici dhe, mbi të gjitha, të përdhoset uniforma e shtetit të Kosovës”, thuhet në deklaratën e AAK-së.

AAK kërkon, në radhë të parë, “lirimin e menjëherëshëm dhe të pakusht të policëve të Kosovës, të kindapuar në territorin e Republikës së Kosovës”. AAK kërkon nga Qeveria e Kosovës “që të mos bëjë analizë politike por të ndërmarrë veprime praktike dhe të drejtpërdrejta në mbrojtje të shtetit dhe dinjitet të tij”.

“AAK kërkon nga bashkësia ndërkombëtare që të rishikojë pozicionin e shtetit serb në proceset integruese, duke qenë dëshmitarë se politika e vjetër e Beogradit nuk ka ndryshuar, dhe e cila është në kundërshtim me parimet demokratike të BE-së”, thuhet në deklaratën e AAK-së.

*******************************

Prishtinë (PLOTESUAR 31 mars, 19:45) Qeveria e Kosovës ka dënuar ashpër arrestimin e dy policëve të Kosovës nga ana e organeve të Serbisë, në zonën kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Ky është një akt qyqar i Qeverisë së Serbisë, është në kundërshtim me vlerat evropiane të fqinjësisë së mirë, kundër bashkëpunimit rajonal dhe cenon rëndë marrëveshjet e arritura në mes të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky akt cenon rëndë raportet në mes të dy shteteve të pavarura, Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në deklaratën e ekzekutivit kosovar.

Përmes së njëjtës, “Qeveria u bën ftesë të gjitha institucioneve ndërkombëtare, para së gjithash Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që të ndërmarrin hapat e domosdoshëm, për të ndikuar te Beogradi zyrtar, për t’i ndalur këto veprime arbitrare dhe të kundërligjshme”.

“Qeveria e Republikës së Kosovës kërkon nga Qeveria e Serbisë që menjëherë dhe pa kushte të bëjë lirimin e policëve kosovarë”, thuhet në deklaratë.

 ***********************

Prishtinë (PLOTESUAR 31 mars, 18:30) Ministria kosovare e Punëve të Brendshme dënon ashpër rrëmbimin e zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës nga ana e xhandarmërisë serbe.

Në një komunikatë të Ministrisë së Brendshme të Kosovës theksohet se pjesëtaret e Policisë së Kosovës në momentin e rrëmbimit kanë qenë duke patrulluar në zonën e përgjegjësisë së Policisë së Kosovës dhe në asnjë moment nuk kanë tejkaluar zonën e përgjegjësisë së tyre.

Më tej theksohet se ky veprim tinzar dhe i organizuar i xhandarmarisë serbe dëshmon edhe njëherë orientimin dhe mentalitetin agresor të shtetit serb ndaj Republikës së Kosovës. Përpjekjet e shtetit serb për agresion ndaj Republikës së Kosovës përmes veprimeve të tilla, të nxitura nga Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, i cili me plot fanatizëm po dëshmohet si trashëgimtar i politikës agresore të Millosheviçit, kanë dështuar historikisht dhe do të dështojnë edhe tani, shtohet në komunikatë.

Ministria e Punëve të Brendshme kërkon nga EULEX-i dhe mekanizmat e tjerë relevant të Bashkimit Evropian të kërkojnë nga Qeveria e Serbisë lirimin e menjëhershëm të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës fton institucionet e Bashkimit Evropian të gjykojnë veprimet e fundit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, të cilat janë në kundërshtim të plotë me rendin dhe ligjin dhe janë veprime anti-europiane dhe në dëm të perspektivës evropiane të rajonit, përfundon komunikata.

Sipas medias, Policia e Serbisë sot paradite në rajonin e Merdarit (afër Podujevës) ka arrestuar dy policë të Kosovës, siç ka deklaruar ministri serb i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq, të armatosur me dy pushkë automatike, dy revole dhe aparaturë speciale për matjen e largësisë.

*************************

Merdare-Pjesëtarët e xhandarmërisë serbe kanë arrestuar dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës në rajonin e Merdares, të cilët “kanë bartur dy pushkë automatikë, dy pistoleta dhe pajisje speciale për matjen e largësisë”, ka deklaruar ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç, raportojnë mediat serbe.

Të arrestuar janë Shukri Binaku dhe Sami Beqiri, u ka thënë Daçiç gazetarëve në Pallatin e Serbisë.

Daçiç ka thënë se armët që kanë poseduar dy pjesëtarët e Policisë së Kosovës paraqesin “shkelje drastike të marrëveshjes ushtarako-teknike, të nënshkruar në Kumanovë, më 1999”.

Ai i ka thënë se “secili që shkel këtë marrëveshje, do të privohet nga liria”. “Nuk bën kështu me Serbinë. Kjo ka tejkaluar çdo masë”, ka thënë Daçiç.

Ndërkohë, edhe ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi ka konfirmuar për RTK-në arrestimin e dy policëve kosovarë.

Ai ka thënë se po punohet në ndriçimin e rastit për të vërtetuar nëse dy policët e arrestuar kishin kaluar apo jo “vijën e gjelbër” të kufirit Kosovë – Serbi në Merdar.