Lajme Shqip Thursday, 20 June 2013 14:04

Prishtinë – Prokurori i EULEX’it, Maurizio Salustro ka dorëzuar sot në Gjykatën Themelore kërkesën për vazhdimin e paraburgimit të shtatë të pandehurve në “Grupin Drenica”. E njëjta kërkesë i është dorëzuar edhe avokatëve mbrojtës të atyre që po hetohen për këtë rast.

Këtë e ka konfirmuar për Express, Arianit Koci, avokati mbrojtës i kryetarit të Komunës së Skenderajt Sami Lushtakut.

“Sot kam pranuar nga prokuroria speciale kërkesën për vazhdimin e paraburgimit të Lushtakut dhe të tjerëve”, ka konfirmuat Koci për Express.

Sipas tij, prokuroria ka kërkuar që paraburgimi i tyre të vazhdohet hiç më pak se për një periudhë prej dy muajsh. “Nëse eventualisht aprovohet kjo kërkesë nga ana gjyqtarit të procedurës paraprake unë menjëherë do ta ushtrojë ankesën, për shkak se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për përcaktimin e paraburgimit”, ka pohuar Koci.

Kjo pasi sipas tij prokuroria mund t’i zhvilloje hetimet pa kurrfarë problemi.

“Por caktimi i kësaj mase është plotësisht i panevojshëm”, tha ai.

Koci gjithashtu vlerëson se kjo masë që e ka propozuar prokuroria është e pa nevojshme edhe për faktin se klienti i tij, në këtë rast Sami Lushtaku është i pafajshëm dhe se kjo sipas tij kjo do të dëshmohet gjatë procesit.

Vendimi për pranimin e kërkesës së prokurorisë do të merret të hënën, ditën kur skadon afati ligjor i kohës së paraburgimit të “Grupit Drenica”.

Të shtatë ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi, Sami Lushtaku, Jahir Demaku, Sahit Jashari, Zeqir Demaku, Hysni Thaçi e Avni Zabeli, i njohur si “Grupi i Drenicës”, dyshohen se kanë kryer krime lufte në Likoc gjatë luftës në Kosovë., për çka edhe iu shqiptua masa e paraburgimit prej 30 ditësh.