Lajme Shqip Thursday, 16 June 2011 09:05

Gostivar – Lideri i RDK-së, Rufi Osmani për herë të parë ka folur lidhur me rezultatin e partisë së tij në zgjedhjet e 5 qershorit. Ai ka pranuar publikisht se prognozat e tij nuk dolën të sakta. “Ndaj bindjen se përgjegjësi sigurisht do të mund të kërkohet nga unë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare ose të themi më saktë në zgjedhjet e ardhshme locale, kur ne atëherë do të jemi si parti e konstituuar dhe kur të kemi një kohë dhe resurse të mjaftueshme për të konkurruar në mënyrë pjesërisht të barabartë. Sido që të jetë, unë nuk i iki përgjegjësisë”, ka thënë kreu i RDK-së, Rufi Osmani. Ai ka bërë të ditur se do të vazhdoj të ushtroj detyrën e kryetarit të komunës së Gostivarit. RDK partia e re shqiptare e formuar para dy muajve ka arritur që të përfaqësohet në Parlamentin e ri, duke fituar dy mandate deputetësh.

Kreu i kësaj partie ka përjashtuar pjesëmarrjen si pjesë të koalicionit të ardhshëm qeveritar, por është shprehur i bindur se deputetët do të jenë opozitë konstruktive dhe do të përkrahin projektet shqiptare.