|
|
e Hënë, 09 Korrik 2012 13:40 Prishtinë (PLOTESUAR -9 korrik, 17:30)- Serbia duhet të përballet me realitetin e shtetit demokratik e sovran të Kosovës, ka deklaruar të hënën në Prishtinë, ndihmëssekretari amerikan për çështjet Evropiane, Filip Gordon. 
Pas një takimi që zhvilloi me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, Gordon tha se po vinte nga Beogradi ku kishte takuar presidentin e sapozgjedhur Tomisllav Nikolliç, të cilit ai i kishte përcjellë edhe njëherë qëndrimet e Shteteve të Bashkuara se Kosova është shtet i pavarur me integritet të plotë territorial. “I kam shprehur atij qëndrimin se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin sovranitetin dhe integritetin e Kosovës”, tha Gordon.
Ndërkaq lidhur me vazhdimin e dialogut Kosovë – Serbi, Gordon tha se SHBA angazhohet që marrëveshjet e arritura deri më tani të zbatohen. “Ne i mbështesim plotësisht aspiratat e Kosovës për integrimin e Bashkimin Evropian, e po ashtu edhe të Serbisë”, është shprehur zyrtari i lartë amerikan.
“Në emër të presidentit Obama dhe sekretares Klinton i kam uruar presidenten dhe popullin e Kosovës për përmbylljen e fazës së mbikëqyrjes ndërkombëtare”, ka thënë me këtë rast Gordon.
Ai u shpreh i inkurajuar me planet për veriun e Kosovës. “Zyra Civile atje është në të mirë të qytetarëve të atjeshëm të cilëve do t’u shërbejë të jenë më afër institucioneve të Kosovës”, tha zyrtari amerikan.
Gjatë kësaj vizite, Gordon i dha mbështetje të drejtpërdrejtë edhe presidentes Jahjaga.
“Kemi ndjekur dhe përcjellë edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe komenti i vetëm që ne kemi është se vendimi i Gjykatës duhet të respektohet plotësisht”, ka thënë Gordon në lidhje me vendimin e Kushtetueses se Jahjaga ka mandat të plotë 5-vjeçar. Në këtë aspekt, ai i premtoi Jahjagës mbështetjen amerikane dhe bashkëpunimin edhe për të ardhmen.
Në anën tjetër presidentja Jahjaga tha se Republika e Kosovës është një faktor i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit në rajon. “Ne duam marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjitha shtetet fqinje, po ashtu edhe me Serbinë, por duke pranuar edhe realitetet e krijuara”, tha Jahjaga.
“I kemi dhënë mbështetje dialogut që është zhvilluar në Bruksel i cili ka pasur si qëllim lehtësimin e jetës së qytetareve të dyja shteteve. Ne si institucione të shtetit të Kosovës duam që të ketë edhe zbatim të gjitha marrëveshjeve të arritura në mënyrë që të vazhdojmë tutje”, tha Jahjaga ne lidhje me vazhdimin e dialogut Kosovë – Serbi.
Presidentja e vendit përsëriti edhe njëherë qëndrimin e institucioneve të Kosovës se për tri komunat veriore nuk ka ndarje e as status të veçantë. Zgjidhja është në Pakon e Ahtisarit, tha Jahjaga.
Presidentja Jahjaga si edhe ndihmëssekretari amerikan për çështjet Evropiane, Filip Gordon kanë dënuar vrasjen e çiftit serb në Talinoc të Ferizajt dhe kanë inkurajuar të gjithë të zhvendosurit që të kthehen dhe jetojnë nëpër shtëpitë e tyre.
Ditë më parë, në samitin në Dubrovnik të Kroacisë, Gordon i bëri thirrje Serbisë që të pranojë “realitetin” e pavarësisë së Kosovës, edhe në qoftë se Beogradi nuk e njeh formalisht pavarësinë. “As ne, as Bashkimi Evropian nuk pret që Serbia ta njohë Kosovën në këtë pikë. Nuk do ta bëjë këtë”,ka thënë Gordon. (LajmeShqip.com)
******************************************
Prishtinë – Ndihmëssekretari amerikan për çështjet Evropiane, Filip Gordon, gjatë vizitës që po zhvillon në Beograd ka takuar udhëheqësit institucional dhe ata politik të vendit.
Gordon në mëngjesin e së hënës ka takuar presidentin e Serbisë, Tomisllav Nikoliç, pas të cilit takim nuk ka pasur ndonjë prononcim për media, por zyra e presidentit serb ka njoftuar se Nikoliç ka kërkuar nga strukturat ndërkombëtar të ushtrojnë autoritetin e tyre në Kosovë në harmoni me mandatin e vetë që kanë.
Sipas njoftimit, thuhet se ai ka thënë se mandati i tyre është ta mbrojnë popullatën në Kosovë, të cilin mandat e kanë njohur edhe autoritetet e Serbisë.
Po ashtu Nikoliç, citohet të ketë thënë, se duhet ndryshuar klima e sigurisë së qytetarëve në Kosovë, para rifillimit të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.
Pas takimit me Nikoliqin, Gordon ka takuar edhe mandatarin për krijimin e qeverisë së Serbisë, Ivica Daçiq.
Ndihmëssekretari amerikan, po ashtu mbrëmë është takuar me kryetarin e Partisë Demokratike, ish presidentin Boris Tadiq, por as nga ky takim nuk janë dhënë detaje të bisedimeve.
Ndërsa sot pasdite ndihmës sekretari amerikan për çështjet Evropiane, Filip Gordon pritet të vizitojë Kosovën.
Kabineti i presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga ka njoftuar se Gordon dhe Jahjaga do të kenë një adresim të përbashkët për media diku pas orës 16:00.
Në agjendën e prezantuar javën e kaluar nga Ambasada Amerikane ishte paralajmëruar edhe një vizitë në veri të Mitrovicës, ku Gordon planifikon t’i vizitojë forcat paqeruajtëse të KFOR-it dhe misionin e EULEX-it.
Paraprakisht, Gordon ka qëndruar edhe në Beograd në kuadër të një turneu diplomatik nga 6 deri më 12 korrik, gjatë të cilit ka vizituar Francën, Kroacinë, ndërsa ka vazhduar me Serbinë, Kosovën dhe Qipron.
Një ditë më parë, në samitin në Dubrovnik të Kroacisë, Gordon i bëri thirrje Serbisë që të pranojë “realitetin” e pavarësisë së Kosovës, edhe në qoftë se Beogradi nuk e njeh formalisht pavarësinë. “As ne, as Bashkimi Evropian nuk pret që Serbia ta njohë Kosovën në këtë pikë. Nuk do ta bëjë këtë”, ka thënë Gordon. (LajmeShqip.com)