Lajme Shqip e Hënë, 02 Korrik 2012 15:03

Prishtinë (PLOTESUAR 18:00)- Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi përshëndeti sot, vendimin e Grupit Ndërkombëtar Drejtues për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, duke e cilësuar atë si shumë të rëndësishëm dhe një ngjarje historike për qytetarët, institucionet dhe shtetin e Kosovës. 

“Kjo arritje historike është kontribut i angazhimit të përhershëm të institucioneve të Kosovës në bashkëveprim me institucionet ndërkombëtare, për ndërtimin e shtetit të ligjit të së drejtës, të shtetit të qytetarëve të barabartë pa dallim race  e gjinie, sipas standardeve evropiane”, shprehet kryeparlamentari Krasniqi. Ky vendim i GDN-së, shton ai, është shenjë se shteti i Kosovës po ndërton identitetin e vet kushtetues dhe ligjvënës, po ndërton marrëdhënie shumë të mira me shtetet e rajonit dhe më gjerë me ato në Evropë dhe botë, duke sendërtuar njëkohësisht edhe obligimet e marra nga Pakoja e Presidentit Ahtisari.

“Shteti i Kosovës është këmbëngulës që të bëjë edhe ndryshimet e nevojshme kushtetuese për t’ i marrë përsipër përgjegjësitë, të cilat që nga shpallja e pavarësisë e këndej i ka ushtruar Zyra Civile Ndërkombëtare. Kosova do të jetë konsekuente që edhe më tutje të zgjerojë bashkëpunimin me institucionet ndërkombëtare drejt integrimit euroatlantik”, theksohet në Deklaratën e Krasniqit. (LajmeShqip.com)

*********************************************

Prishtinë (PLOTESUAR 16:45)- Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se me vendimin e Grupit Drejtues Ndërkombëtar për përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur për Kosovën, vendit i është hapur ruga “për një partneritet të barabartë me bashkësinë ndërkombëtare, bazuar në respektin e ndërsjellë”.

Në një deklaratë për media që pasoi vendimin e GDN-së, Jahjaga vlerësoi se puna dhe angazhimet e popullit të Kosovës janë një nga elementët kryesorë që mundësuan dhënien fund të pavarësisë së mbikëqyrur për vendin. “Besimi në ju, qytetarë të Kosovës dhe në Republikën tonë, është fryt i punës dhe i angazhimit të përbashkët, që vlerat demokratike i bëmë parime themelore të shtetësisë sonë, duke dëshmuar aftësi dhe përgjegjësi për shtetin tonë dhe obligimet tona ndërkombëtare”, citohet të ketë thënë presidentja kosovare.

Mbikëqyrja e pavarësisë parashihej me planin e të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahtisaari. Zyra Civile Ndërkombëtare, si mision që mbikëqyri punën e institucioneve vendore që nga dita e shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt të vitit 2008, pritet të mbyllet në fillim të kësaj vjeshte.

***************************************

Vjenë – Grupi Ndërkombëtar Drejtues në takimin e mbajtur në Vjenë ka vendosur që t’i jap fund fazës së mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës. 

Mikpritësi i takimit, ministri i Jashtëm i Austrisë Mihael Shpindeleger ka thënë se kjo paraqet një ditë të madhe dhe historike për Kosovën. Nga dita e sotme, Kosovës i hiqet mbikëqyrja ndërkombëtare, kurse mandati i ICO-së (Zyrës Civile Ndërkombëtare) pushon në shtator, ka thënë ministri austriak.

Në anën tjetër, shefi i ICO-së, Piter Feith ka deklaruar se Kosova ka bërë shumë përparime këto vitet e fundit. Ndërsa ka lavdëruar përpjekjet për hapjen e Zyrës Administrative në veri, Feith ka inkurajuar institucionet e Kosovës që në ditët në vijim t’i bëjnë ndryshimet e nevojshme ligjore – kushtetuese në mënyrë që të bëhet kalimi i kompetencave dhe përgjegjësive nga zyra e tij tek autoritetet vendase.

Kurse kryeministri Hashim Thaçi tha se kjo paraqet një ditë historike për Kosovën për të cilën ai tha se meritat i ndajnë së bashku institucionet e Kosovës dhe komuniteti ndërkombëtar. “Konsideroj se bashkërisht të gjithë, kemi bërë një punë të shkëlqyeshme, e cila e ka bërë Kosovën në shtet të respektuar në rajon dhe me gjerë. Unë e di se ende kemi punë për të bërë. Ne duhet të forcojmë sundimin e ligjit dhe të rrisim mirëbesimin e qytetarëve tanë. Ne duhet të rrisim nivelin e bashkëpunimit ekonomik. Ne duhet të realizojmë potencialin tonë të plotë të decentralizimit dhe të sigurojmë qytetarët tanë se qeveria e tyre është përgjegjëse për nevojat e tyre”, është shprehur Thaçi.

Sipas vendimit të sotëm të Grupit Ndërkombëtar Drejtues, Kosova ka zbatuar me sukses obligimet e marra më Pakon e presidentit Ahtisari, por tani i mbetet që t’i bëjë edhe ndryshimet e nevojshme kushtetuese që t’i marrë përsipër përgjegjësitë të cilat që nga shpallja e pavarësisë e këndej i ka ushtruar Zyra Civile Ndërkombëtare.

Megjithatë, edhe nëse do të vendoset fundi i mbikëqyrjes ndërkombëtare, Bashkimi Evropian do ta vazhdojë praninë e vet në Kosovë përmes misionit për polici dhe sundim të ligjit – EULEX, përderisa do të vazhdojë edhe prania e forcave paqeruajtëse të KFOR-it, që udhëhiqet nga NATO-ja. (LajmeShqip.com)