Lajme Shqip Wednesday, 09 November 2011 22:06

Prishtinë – Njëri prej gazetarëve hulumtues të gazetës Koha Ditore, Vehbi Kajtazi po përballet me një proces gjyqësor nga një prej ish-gjyqtarëve, Selman Bogiqi, për të cilin gazetari ka raportuar më parë lidhur me abuzimet sa ishte gjykatës. Ky i fundit pati kërcënuar edhe me jetë Kajtazin, por organet e drejtësisë nuk janë marrë asnjëherë me këtë kërcënim. Së fundi, është ushtruar një padi private nga ana e Bogiqit ndaj Kajtazit për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe shpifje.

Asociacioni i Gazetarëve Profesionist të Kosovës ka njoftuar se seanca e radhës ndaj Vehbi Kajtazit do të mbahet të enjten në Gjykatën komunale. Kryetari i AGPK-së, Arben Ahmeti thotë se është shqetësues qasja selektive e drejtësisë në Kosovë.

“AGPK përkrah angazhimin e institucioneve të drejtësisë edhe në rastet kur gazetarët mund te kenë bërë shkelje, mirëpo në këtë rast kemi një qasje krejtësisht selektive të drejtësisë. AGPK ka shqyrtuar ankesën e ish-gjyqtarit dhe vlerësojmë se raportimi i kolegut Kajtazi ka qenë plotësisht profesional. Ajo që na shqetëson është ngurrimi i institucioneve të drejtësisë që të merren me rastin kur ky ish-gjyqtar e pati kërcënuar me vrasje kolegun Kajtazi. Një kërcënues me vrasje, siç është ky ish-gjyqtar, e ka vendin në bankën e të akuzuarve e jo në vendin e paditësve. Duke mos dashur të bëjmë presion mbi drejtësinë, ne në heshtje po e monitorojmë këtë proces me një kujdes të veçantë”, tha Ahmeti, transmeton Indeksonline.

Kajtazi në muajt e fundit është protagonist i një sërë shkrimesh hulumtuese, veçmas në gjyqësinë kosovare dhe historinë e dëshmitarit X, njërit prej ngjarjeve që kanë shënuar vitin 2011.