Lajme Shqip Monday, 13 June 2011 15:09

Tiranë – Zv/kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, ka reaguar nëpërmjet një deklarate për shtyp, pasi gjykatësi i rrethit të Fierit, Damin Damini, është ndaluar në pikën kufitare të Kakavijës, nga policia greke, sepse në pasaportën e tij biometrike kishte të shënuar vendlindjen në një fshat që është pjesë e Çamërisë.

Spahiu ka deklaruar se do të kërkojë informacione nga ministria e Jashtme Shqiptare mbi këtë incident, i cili nuk është i pari që pas heqjes së vizave për shqiptarët.

Deklarata e Kreshnik Spahiut, sqaron në vijim ngjarjen:

“Në cilësinë e zv/Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, jam shumë i shqetësuar, për ngjarjet të cilat kanë ndodhur në pikën doganore të Kakavijës, më datë 10.06.2011, ora 20:00 dhe i përkasin Gjyqtarit Skënder Damini, Gjyqtar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier.

Në këtë datë Gjyqtari është penguar të kalojë kufirin me shtetin grek, kur po udhëtonte me bashkëshorten dhe babain e tij, shtetasit Lindita dhe Damin Damini, me motivacionin “konsiderohet person i rrezikshëm për rendin dhe sigurinë publike etj”.

Si Zv. Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i cili është organi kushtetues kompetent për mbrojtjen dhe përfaqësimin e gjyqtarëve, kërkoj nga Ministria e Jashtme e vendit tonë të marrë sqarime tek autoritetet kompetente greke, në lidhje me veprimet e autoriteteve të pikës kufitare Kakavijë.

Ne kërkojmë nga këto autoritete të sqarojnë pozicionin e shtetit grek në lidhje me përcaktimin që i bëhet një gjyqtari të shtetit shqiptar, i cili udhëton me një pasaportë shërbimi, si edhe bashkëshortes së tij, si persona të “rrezikshëm”.

Ne sqarojmë se Gjyqtari Skënder Damini ka kaluar në shtetin grek duke respektuar rregullat e këtij shteti dhe pa krijuar asnjëherë incidente, që nga viti 1993, duke hyrë dhe dalë rregullisht në këtë vend.

Incidenti ka të bëjë me praninë e babait të gjyqtarit, shtetasit Damin Damini, i cili ka të shënuar në pasaportën biometrike, “vendlindjen Mazrek, Marglliç, një krahinë në Çamëri”, duke bërë kështu që punonjësi i pikës kufitare të vendosë shënimin që ai nuk e disponon, një dokument të vlefshëm udhëtimi, pavarësisht se ai udhëtonte me një pasaportë të vlefshme biometrike.

Më këtë motivacion, punonjësi i pikës kufitare nuk ka lejuar të hyjë në shtetin grek as gjyqtari Skënder Danimi dhe bashkëshortja e tij, të cilët, sipas punonjësit, ishin duke e shoqëruar një person të padëshiruar.

Në cilësinë e zv/Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, vlerësoj se arsyet e paraqituara nga autoritet kufitare greke, janë të paarsyeshme dhe diskriminuese, prandaj kërkoi nga autoritetet shqiptare që të ndërhyjnë tek autoritetet më të larta shtetërore greke, që të japin sqarime përfundimtare në lidhje me çështjen”.

Vlen të theksohet se prej kohës Spahiu është vënë në krye të Aleancës Kuq e Zi, organizatë shqiptare e cila është kundër regjistrimit të popullsisë në bazë etnie dhe feje”, përfundon deklarata e zv/kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu.