Lajme Shqip Monday, 02 November 2015 16:06

Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata Themelore e Prishtinës u ka vazhduar sërish masën e paraburgimit 7 të akuzuarve për terrorizëm, të arrestuar në dy operacione të ndara vitin e kaluar në rajonin e Kaçanikut, Mitrovicës dhe Skenderajt.

Gjykata ka vendosur se nuk kanë pushuar shkaqet për të cilat është caktuar masa e paraburgimit, rreziku i ikjes, përsëritja e veprës penale, si dhe ndërhyrja në prova.

Të pandehurit Zekrija Qazimi, Liridon Kabashi, Ilir Kraba, Burim Ballazhi, Ilir Berisha, Sadat Topojani, dhe Jetmir Kyqyku janë arrestuar nga policia e Kosovës, në dy aksione të ndara në muajt qershor dhe korrik të vitit të kaluar. Tre të fundit dyshohen se kanë qenë pjesëtar të Grupit terrorist Al- Nusra.

Ata ngarkohen me veprën penale “rekrutim për terrorizëm, organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist, nxitje të urrejtjes, përçarje ose mos durim kombëtar, racor, fetar apo etnik”.

Edhe përkundër këtij vendimi të Gjykatës, në seancën e mbajtur sot në Gjykatë e Ferizajt, avokatët mbrojtës të akuzuarve kanë kërkuar sërish ndalimin e masës së paraburgimit, si dhe mundësinë që ata të hetohen në arrest shtëpiak.

“Klienti im ka 17 muaj që është në paraburgim, disa të tjerë kanë 13 muaj, klientëve tanë u janë shkelur të gjitha të drejtat, dhe janë shkelur dispozitat e Kodit të Procedurës Penale. Ne garantojmë se në çdo kohë ata do të përgjigjen thirrjeve të Gjykatës, dhe nuk do të pengojnë procesin gjyqësor”, ka thënë njëri nga avokatët e të pandehurve.

Kjo kërkesë e palës mbrojtëse është hedh poshtë si e pabazuar nga ana e trupit gjykues i udhëhequr nga kryetar, Musë Kongjeli.

Ndërkohë seanca e sotme është shtyrë për datën 26 nëntor, pasi ankesat e palëve mbrojtëse për hedhjen poshtë të aktakuzave, nuk janë shqyrtuar ende nga Gjykata e Apelit. Në seancën e ardhshme të pandehurit do të përballën me tre dëshmitarë.

Imami nga Gjilani, Zekerija Qazimi, dhe Liridon Kabashi, nga fshati Polac i Skenderajt u arrestuan në një aksion të ndarë, por që dosja e tyre u bashkua më vonë me atë të arrestuarve tjerë për terrorizëm.

Ata dyshohen se kanë kryer veprat penale: “Rekrutim për terrorizëm”, sipas nenit 139 të KPK-së, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, sipas nenit 143 të KPK-së, “Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”, sipas nenit 147 të KPK-së, “Shtytja për kryerjen e veprave terroriste”, nga neni 141, i KPK-së dhe “përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës nga neni 144 të KPK-së.

Grupi i të rinjve rrezikon dënime me burgim deri në 20 vjet nëse vërtetohen dyshimet se ata kanë lidhje me grupe terroriste.

Pos sanksionimit me Kodin Penal, dënime deri në 15 vjet burgim parasheh edhe ligji i miratuar në Kuvendin e Kosovës që sanksionon pjesëmarrjen e kosovarëve në luftëra të huaja.