Lajme Shqip Wednesday, 04 November 2015 07:59

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka deklaruar sot se Asociacioni i Komunave serbe do të formohet, “sepse ai është pjesë e Marrëveshjes së Brukselit, sepse kjo është dëshirë e Beogradit dhe e bashkësisë ndërkombëtare dhe sepse Asociacioni është detyrim i Prishtinës”.

“Bashkësia do të formohet e përgjegjësia jonë do të jetë që ajo të bëhet funksionale dhe e mirë”, ka thënë Gjuriq në Suhodoll të Mitrovicës, transmeton Koha.net.

Ai ka shtuar se obstruksionet që po shihen këto ditë dhe këto javë, qëllim të vetëm e kanë shtyrjen e themelimit të AKS-së.

Gjuriq ka thënë se shtyrja nuk mund ta pengojë krijimin e AKS-së dhe se Prishtina nuk mund ta ndalë këtë proces pa marrë para sysh se çfarë do të bëjë.

“Prishtina nuk mund ta ndalë as përmirësimin e jetës së njerëzve tanë në këtë hapësirë përmes bashkësive dhe institucioneve tona dhe, Prishtina, as që do të jetë në pozitë ta ndalojë dhe ta pengojë formimin e AKS-së”, ka thënë Gjuriq.