Lajme Shqip e Mërkurë, 11 Korrik 2012 16:06

Tiranë – Nënkryetari socialist i Komisionit të Sigurisë Ilir Gjoni deklaroi se Ministria e Mbrojtjes është përfshirë në tregti armësh dhe municionesh.

“Ministria ka kryer aktivitete të paligjshme, përfshirë edhe përgjimet e paautorizuara”, tha Gjoni. Ndërkohë refuzimin për hetimin e Ministrisë së Mbrojtjes, PS e konsideron si mungesë transparence.

Opozita ka shtuar akuzat ndaj Ministrit të Mbrojtjes Arben Imami duke hedhur dyshime të tjera edhe më të rënda se sa sulmet për trafik armësh.

Duke iu referuar refuzimit të kërkesës së deputetëve socialistë për kontroll në këtë ministri, kreu i Partisë Socialiste Edi Rama ka deklaruar se opozita e di mirë çfarë po kërkon të fshehë ministri Arben Imami dhe se trafiku i armëve i zbuluar së fundmi, është vetëm “maja e Ajsbergut” e korrupsionit dhe shkeljeve flagrante të Kushtetutës.

“Ashtu sikundër kemi informacione të besueshme nga brenda Ministrisë së Mbrojtjes se trafiku i sapozbuluar i armëve është vetëm maja e ajsbergut të një veprimtarie të paligjshme që shtrihet deri në përdorimin e mjeteve të ushtrisë për përgjime me natyrë politike.

Pra, imuniteti, aktualisht, nuk e mbron dot opozitën as nga përgjimi i paligjshëm i përfaqësuesve të saj, për të cilin unë i siguroj të gjithë përgjuesit e zellshëm ilegalë se do të përgjigjen për shkelje të rëndë të ligjit”, tha Rama. (T.Ch)