Lajme Shqip Wednesday, 23 January 2013 14:09

Prishtine – Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, njësia në Gjilan, ka arrestuar një të dyshuar dhe ka konfiskuar 73 mijë e 500 dollarë, që dyshohen të jenë të falsifikuar, njofton përmes një komunikate për media.

Në komunikatë sqarohet, se “përmes rrugëve operative janë pranuar informata se në Gjilan dyshohet të jenë vënë në qarkullim shuma të kartëmonedhave që dyshohet të jenë të falsifikuara”.

Zbulimi i rastit, ka ardhur, pas marrjes së informacionit, se në një bankë në Gjilan ishin identifikuar 200 dollarë amerikanë të falsifikuar.

“Pas kontakteve me prokurorinë kompetente, policia ka kontrolluar shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit N. B. (mashkull kosovar shqiptar).

Gjatë realizimit të kontrollit në objektin e të dyshuarit, janë gjetur dhe konfiskuar 73 mijë e 500 dollarë amerikanë, që dyshohet se janë të falsifikuar.

Bankënotat e dyshuara do të ekzaminohen në laboratorin e Agjencisë së Kosovës për Forenzikë”, thuhet në komunikatë.

Të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.(REL/LajmeSqip.com)