Lajme Shqip Thursday, 29 October 2015 10:53

Gjermania ka thënë se do t’i përshpejtojë procedurat për kthimin e të gjithë atyre azilkërkuesve, nga Afganistani dhe Ballkani, të cilët nuk i kanë plotësuar kriteret për të mbetur në Gjermani, shkruan rel.

Kjo deklaratë e prerë ka ardhur nga ministri i brendshëm Thomas de Maiziere, pas sondazheve të cilat kanë treguar se partia e kancelares Merkel ka pësuar rënie të ndjeshme, që nga kriza e migrantëve.

Më qindra mijëra migrantë kanë vërshuar Evropën gjatë këtij vitit, kryesisht nga Siria, Afganistani, Iraku, por edhe Ballkani, të cilët destinacionin kryesorë e kanë Gjermaninë, për arsye të vendeve të punës.

De Maiziere gjatë një konference për media në Berlin, ka thënë se vala e migrantëve këto ditë është rritur shumë edhe përshkak të bllokadës së migrantëve, të cilët po udhëtojnë përmes Ballkanit.

Në periudhën janar-shtator të këtij viti, rreth 577,307 njerëz kanë paraqitur kërkesat e tyre për azil në Gjermani.