Lajme Shqip Tuesday, 03 November 2015 08:38

Gjashtë kosovarët, prej 11 të akuzuarve për pjesëmarrje në luftën e Sirisë karshi grupit terrorist, ISIS, edhe më tutje ndihen të pafajshëm.

Gjatë fjalës hyrëse të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Hadi Nura, Besim Shabani, Egzon Latifi, Jetmir Bushi, Bekim Halili dhe Jeton Hajdini kanë thënë se nuk janë fajtorë për akuzat, që u janë ngarkuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës, shkruan sot “Koha Ditore”.

Më 7 maj të këtij viti, ata bashkë me Kujtim Bytyçin, Betim Ibrahimajn, Adil Bushin, Artan Kadriun, Zejadin Berishën janë akuzuar për vepër penale organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste.

Mirëpo, meqë këta pesë të fundit e kanë pranuar fajësinë në seancën paraprake, Gjykata e ka ndarë procedurën ndaj tyre.

Fillimisht, në seancën e së hënës prokurori i rastit, Blerim Isufaj, gjatë fjalës së tij hyrëse ka thënë se mbetet në tërësi pranë provave të prezantuara në aktakuzë, siç janë fotot e armëve të konfiskuara, fotot e të akuzuarve të uniformuar e të armatosur, si dhe mesazhet telefonike (sms) të shkëmbyer në mes tyre.

“Si Prokurori mendojmë se janë prova të mjaftueshme, më anë të të cilave vërtetohet se të akuzuarit janë kryerës të veprave penale për të cilat akuzohen”, ka thënë prokurori.

Në anën tjetër, të gjithë avokatët mbrojtës të të akuzuarve e kanë kontestuar provën e sms-ve, duke thënë se ato janë siguruar pa filluar ende hetimet, në mënyrë të jashtëligjshme.

Megjithatë, ky pretendim i mbrojtësve është hedhur poshtë nga prokurori Isufi, duke thënë se ata janë siguruar me urdhër të Gjykatës.

Para se të përmbyllej seanca, avokatët kërkuan që ndaj të mbrojturve të tyre të ndryshohet masa e lajmërimit në stacionin policor, e për të akuzuarin Bekim Halili të ndryshohet masa e arrestit shtëpiak dhe të zëvendësohet me masën e lajmërimit në stacionin policor.

Kërkesat e tyre janë pranuar nga trupi gjykues. Tash e tutje ata do të paraqiten në polici dy herë në muaj dhe nuk e kanë të caktuar orën brenda së cilës duhet të paraqiten.

Në gusht të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale e Republikës kishte nxjerrë një aktvendim për fillim të hetimeve kundër 57 personave. 40 prej tyre i kishte arrestuar për një ditë. Nga ky grup, 32 persona janë akuzuar, për 18 persona kanë pushuar hetimet dhe 7 persona ende gjenden në arrati.

135 kosovarë janë të dyshuar, të akuzuar apo nën hetime për vepra që lidhen me terrorizmin. Deri tash janë ngritur disa aktakuza, përfshirë edhe kundër imamëve të xhamive të cilët besohet se kanë qenë pjesë e rekrutimit të të rinjve.

Ideologjia e organizatës tjetër ISIL (Shteti Islamik i Irakut dhe Levantit), sipas Prokurorisë, është skajshmërisht ekstreme dhe agjenda e tyre është e bazuar në kalifatin islam. Edhe kjo organizatë terroriste ka lidhje të ngushta me “Al-Qaidan”.