Lajme Shqip Tuesday, 29 October 2013 22:59

Tiranë- Familjarët e viktimave të shpërthimit të Gërdecit, i drejtuan sërish një kërkesë Kryeprokurorit Adriatik Llalla për rihapjen e hetimeve ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu. Shoqata e familjarëve të “Gërdecit”, bën thirrje që Prokuroria e Përgjithshme të rinisë veprimet ndaj Fatmir Mediut aty ku janë ndërprerë, për shkak se në 2009-ën ai gëzonte imunitet. 

Kërkesa e firmosur nga 18 familjarë të viktimave të Gërdecit nënvizon se: “Lidhur me veprimet ose mosveprimet e ish-Ministrit të Mbrojtjes dhe humbjes së paligjshme të jetës së viktimave është e mundur ekzistenca e një lidhjeje organike. Këto veprime kanë lidhje me aktivitetin e demontimit të municioneve në Gërdec dhe me shkallën e përfshirjes së mbikëqyrjes ushtarake të këtij aktiviteti me rrezikshmëri të lartë. Ka shumë për të zbuluar nëse rregullat ishin të pamjaftueshëm për të garantuar një proces normal demontimi dhe për të minimizuar çdo faktor risku, apo nëse rregullat ishin të mjaftueshëm, por shpërfillja e tyre ka sjellë pasojën e dëmshme.” 

Sipas familjarëve të viktimave, vlen për tu theksuar se “Prokuroria e Përgjithshme ka ngritur akuza në lidhje me humbjen e jetëve për disa nga drejtuesit e dikastereve që kanë pasur për detyrë të mbikëqyrin procesin” 

“Ish-Ministri i Mbrojtjes sipas legjislacionit që rregullon veprimtarinë e forcave të armatosura, është drejtuesi më i lartë i strukturave ushtarake në kohë paqeje dhe se për çdo akuzë që ngrihet ndaj eksponentëve të lartë të dikastereve, ashtu duhet të hetohet dhe gjykohet edhe shkalla e përfshirjes së çdo zyrtari tjetër, përfshirë këtu edhe Ministrin e Mbrojtjes si urdhërdhënësi kryesor dhe; për arsye të një hetimi të plotë e të gjithanshëm, përkrah gjykimit të 29 të pandehurve të Gjykatën e Apelit Tiranë, duhet të gjykohet paralelisht edhe Ministri për akuzat e ngritura, lidhjen me akuzat e tjera dhe mundësinë e ngritjes së akuzave të reja” -thuhet në kërkesën e familjarëve./ballkan web/