Lajme Shqip Thursday, 16 June 2011 09:51

Beograd - Raportuesi i Kuvendit parlamentar të Këshillit të Evropës (KPKE) Zhan Sharl Gardeto deklaroi se në Kosovë nuk ekziston mbrojtje e dëshmitarëve në proceset kundër krimit të organizuar të Kosovës.

“Mbrojtje, thjesht, nuk ka. Në Kosovë nuk ekziston asnjë lloj ligji në atë kuptim, nuk ka as çfarëdo lloji të organizimit të cilat do të mundësojnë që të mbrohen dëshmitarët në proceset kundër krimit të organizuar”, tha Gardeto për “Novosti”.

Sipas tij, EULEX-i në pjesën e aktiviteteve dedikuar mbrojtjes së dëshmitarëve ka punuar si ka mundur, por kjo nuk ishte dhe aq e zhvilluar.

“Nuk ekziston një kuadër ligjor, as strukturë, siç janë komisione ose agjenci speciale, të cilat shërbejnë për mbrojtje të dëshmitarëve, organizojnë mbrojtje fizike, ndihmë psikologjike dhe të ngjashme”, tha Gardeto.

Gardeto që nga muaji janar, vetëm një ditë pas raportit të Dick Martyt, tregoi problemin e mbrojtjes së dëshmitarëve dëshmitë e të cilëve, duke pasur parasysh se faktet materiale janë të shkatërruara, do të jenë mbështetja kryesore në hetimin me rastin e akuzave për tregti me organe njerëzore, dëshmitë do të jenë të pjesëmarrësve të drejtpërdrejtë.