Lajme Shqip Friday, 17 June 2011 12:51

Vjenë – Komisioneri evropian për zgjerimin Shtefan Fyle, ka thënë se pret që dialogu i Beogradit dhe Prishtinës në korrik do të japë rezultate konkrete.

 

Ai ka theksuar se nuk e sheh anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian  pa zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

 

Gjatë një ligjërate në temën “Ballkani, çfarë tani – perspektivat evropiane”, që e ka mbajtur  në përfaqësinë e Komisionit Evropian në Vjenë, Fyle e ka theksuar të rëndësishëme zhvillimin e katër raundeve të bisedimeve ndërmjet Kosovës e Serbisë, që janë mbajtur deri tani.

Sipas tij, askush nuk ka besuar se kjo gjë do të ishte e mundur.

 

“Shpresoj që në korrik do të shohim rezultate konkrete, rezultate pragmatike të cilat do ta përmirësojnë jetën e qytetarëve, posaçërisht të atyre në veri të Kosovës”, ka thënë Fyle.

“Procesi i zgjerimit ka faza të ndryshme. Në kohën kur të gjitha vendet anëtare të BE-së nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, vështirë është të flasim për kushtet e qarta të BE-së. Në këtë fazë, të 2011-të, para se Komisioni Evropian në tetor të japë mendimin e vet, anëtaret kanë thënë se politikisht është e qartë, se para se të përkrahin rekomadimin e Komisionit, dëshirojnë të shohin rezultate të dialogut të Beogradit dhe Prishtinës”, ka sqaruar Fyle, duke u përgjegjur në pyetjen nëse njohja e Kosovës është kusht për Serbinë për anëtarësim në BE.