Lajme Shqip Friday, 30 March 2012 10:28

Tiranë –  Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, po zhvillon një vizitë dyditore në Bruksel, gjatë së cilës zhvilloi takime me Komisionerin për Zgjerimin të BE-së, Stefan Fule.

Ky i fundit mirëpriti planin e fundit të veprimit si një bazë e mirë për reformat kyçe, por kërkoi që vendi të përdorë të gjitha kapacitetet për të shënuar përparim në kriterin politik, shtetin e së drejtës dhe për të drejat e njeriut.

“Mora siguri të reja se Shqipëria nuk do të humbë më kohë dhe se do të përparojë në të gjitha veprimet e nevojshme, për të arritur një masë kritike rezultatesh në të gjitha fushat. Këto ndryshime duhet gjithashtu të përfshijnë përfundimin pa pengesa të reformës zgjedhore dhe të rishikimit të rregullores së Parlamentit, gjë që do të shtronte rrugën për progres në fusha të tjera gjithashtu”, theksoi Fyle.

Ndërsa ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu,  theksoi se me reformat e ndërmarra që prej nëntorit, në Bruksel ka ndryshuar ndjeshmëria për vendin, gjë që, sipas saj, tashmë mbetet për t’u përkthyer edhe tek vendet anëtare të BE-së.

“Më vjen mirë që pas një periudhe dyvjeçare kemi një tjetër ndjeshmëri, jo vetëm nga ana e KE-së, pasi do të kishte qenë e vështirë që Komisioni të kishte një ndjeshmëri pozitive nëse gjërat, të paktën nga nëntori, nuk do të kishin lëvizur pozitivisht në Shqipëri”, tha Bregu.

Gjatë vizitës në Bruksel ministrja e Integrimit u takua dhe me kreun e delegacionit për Ballkanin, Eduard Kukan dhe raportuesin për Shqipërinë, Nicholaos Chountis.