Lajme Shqip Monday, 27 June 2011 11:54

Prishtinë – Futbollisti i kombëtares U21 të Zvicrës, Granit Xhaka, përkundër shumë lëvdatave për lojë të mirë, nga trajner dhe ekspertë të futbollit ndërkombëtar, nuk shikohet njëjtë nga fansat e futbollit shqiptar. Në profilin e tij zyrtar, në rrjetin social Facebook, ai së bashku me shumë bashkë lojtar të tij shqiptarë që luajnë në këtë kombëtare, janë shpallur tradhtar.

“Tradhtar i kombit shqiptar je edhe ti, o Granit Xhaka!… Rroftë Shqipëria etnike!”, shkruan njëri nga fansat, në profilin e Xhakës.

Madje shumë prej tyre kanë sharë futbollistët e tjerë shqiptarë që luajnë për kombëtaren e Zvicrës. “Ju jeni fëlliqësira që luani për Zvicrën e jo për Shqipërinë”, është një tjetër koment në Facebook.

Disa të tjerë kanë bërë tifo për Spanjën, e cila ka mundur Zvicrën pikërisht për arsyen se në kombëtaren e zviceranëve luajnë shqiptarët që sipas këtyre fansave janë “tradhtar”.

“Bravo Spanja ua tregove vendin tradhtarëve të Shqipërisë”, shkruan njëri nga fansat.

Mirëpo, jo vetëm Xhaka është në shënjestër si “tradhtar i kombit”. Njëri nga fansat ka shkruar në profilin zyrtar të tij në Facebook se Zvicra ka në ekip të saj tradhtar. Sipas këtij personi, tradhtarët janë: “Granit Xhaka, Fabio Daprela, Xherdan Shaqiri, Vullnet Basha, Shkëlzen Gashi, Pajtim Kasami, Orhan Mustafi, Adrian Nikçi e Admir Mehmedi”.

Sipas komenteve në Facebook, kjo është dhjetëshja e lojtarëve që janë tradhtar të kombit.

“Kur ishin në grupe të vogla, krejt kanë deklaruar se nëse Federata e Shqipërisë interesohet për ta, do të pranojnë të luajnë për kombëtaren e Shqipërisë. Por, kur e shikuan vetën në finale të U21 e u bërën të famshëm, tash thonë se s’jemi shqiptarë dhe s’jemi pjesë e Shqipërisë”, shkruan një tjetër fans. Madje, për këtë dhjetëshe të lojtarëve është bërë edhe një video në “youtube” me titullit “Tradhtarët e Kombit”.

“Këta lojtarë bashkë me Granit Xhakën kurrë nuk do të jenë në nivelin e Lorik Canës që ka refuzuar kombëtaren e Francës e në nivel të Kristi Vangjelit që refuzoi Greqinë. Turp për Granitin edhe shokët e tij”, shkruhet në Facebook.

Kombëtarja e U21 të Zvicrës ka humbur në finale nga U21-shat e Spanjës.