Lajme Shqip Monday, 15 April 2013 11:03

FUSHE ARREZ – Gati një ‘luftë’ e vërtetë ka ndodhur sot në fabrikën e pasurimit të bakrit në Fushë Arrëz. Protestues dhe policia janë përleshur pasi një protestë e banorëve të zonës ka dalë jashtë kontrollit duke sulmuar dhe kreun policisë së zonës.

Banorë të Fushë Arrëzit po zhvillojnë një protestë mbi fabrikën e pasurimit të bakrit, dhënë me koncesion një kompanie turke.

Protestuesit kanë nxjerrë nga ambientet e punës punonjësit e fabrikës dhe kanë thyer xhamat dhe objekte. Policia ka ndërhyrë me shpejtësi për të ndalur sulmin, por protestuesit nuk janë tërhequr. Korrespondenti ynë në vendngjarje, Armir Mehaj bën të ditur se shefi i rendit të Fushë Arrëzit ka qëlluar në ajër 3 herë, pasi turma tentoi t’ sulmonte. Po kështu policia kërkoi dhe ndërhyrje me helikopterë të forcave të shpejta nga Tirana, pasi situata sipas tyre është e papërballueshme.

Për News24, banorët e Fushë Arrëzit me bukë në duar kanë protestuar kundra kompanisë që ka marrë me koncesion fabrikën e pasurimit të bakrit.

“Kërkojmë të punësohet edhe pjesa tjetër e lagjes. Jemi banorë të së njëjtës zonë, disa kanë 10 kamiona dhe bëjnë lekë, disa nuk kanë bukë të hanë sepse janë pa punë. Firma turke merr njerëz nga Turqia i punëson dhe ne na le pa punë”, thotë njëri prej protestuesve.

“Nuk ka më këtu as turk, pas Pakistan, asnjë nuk do ketë këtu përvec ne që jetojmë këtu”, thotë një tjetër protestues.

“Unë jam përfaqësues i lagjes dhe kryetar i lagjes. Kam kohë që negocioj me firmën Bler-alb dhe pushtetin vendor e qëndror dhe kemi bërë marrëveshje me mirëkuptim dhe procesverbal me të drejtat e lagjes. Asnjë pikë e marrëveshjes, as ajo e ndotjes së tokës, së ujit, së ajrit nuk janë rishikuar nga firma, por as punësimi i banorëve që ishte dhe kryesorja”, thotë një tjetër protestues.

Situata vijon të jetë më e qetë, por protestuesit nuk largohen nga ambientet e fabrikës.(LajmeShqip.com)