|
|
e Hënë, 02 Korrik 2012 19:22 Prishtinë – Edhe pse Grupi Drejtues Ndërkombëtar sot mori vendim që ta përmbyllë mbikëqyrjen e pavarësisë së Kosovës, opozita kosovare e sheh ndryshe. Edhe pse ata e vendimin e GDN-së e shohin si lajm të mirë, ata thonë se prania e madhe ndërkombëtare, sidomos në veri në vendit, mungesa e sundimit të rendit dhe ligjit, tregon se Kosova ende nuk është plotësisht e pavarur.
Por njohësit e çështjeve politike thonë se përmbyllja e pavarësisë së Kosovës, sa është e mirë, aq sjell edhe përgjegjësi më të mëdha për institucionet e vendit. Sa i përket pavarësisë së plotë, analistët thonë se të rralla janë ato shtete në botë që janë të pavarura në kuptim të plotë të fjalës, por shtojnë se në aspektin diplomatik, përmbyllja e mbikëqyrjes së pavarësisë është një hap shumë pozitiv për Kosovën.
Shefi i ICO-së, Piter Feith, ka thënë sot përmes një video-linku se Grupi Drejtues Ndërkombëtar ka marrë një vendim shumë të rëndësishëm për përmbylljen e pavarësisë së Kosovës, por që deri në shtator Qeveria dhe Kuvendi të miratojnë pakon e ndryshimeve kushtetuese.
“Grupi Drejtues Ndërkombëtar ka marrë një vendim shumë të rëndësishëm, së pari grupit ka konsideruar një propozim për përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur së Kosovës. Së dyti grupi ka dhënë dritën e gjelbër Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës që të miratoj pakon e ndryshimeve kushtetuese dhe legjislative. Dhe e treta ky është një përfundim i Grupit Drejtues Ndërkombëtar që të mbyllte zyrën time në Prishtinë”, ka theksuar Feith.
Edhe pse Feith e dha këtë mesazh për përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, opozita ka qëndrim paksa të rezervuar.
Ahmet Isufi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, i ka thënë Kosovapressit përmes telefonit se përmbyllja e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës sjell përgjegjësi edhe më të mëdha për institucionet e vendit. Ai ka shtuar se përfundimi i kësaj mbikëqyrjeje nuk do të thotë se do të ketë përfundim të mbikëqyrjes së pavarësisë së plotë.
“Përmbyllja e mbikëqyrjes së pavarësisë është një proces i cili sjell përgjegjësi më të mëdha për institucionet e Kosovës, por nuk do të thotë se do të ketë përfundim të mbikëqyrjes së plotë, sepse edhe më tutje rendi dhe ligji janë të brishtë dhe po ashtu institucionet ndërkombëtare do të jenë prezentë në Kosovë duke e monitoruar këtë. Ngutja që të bëhet përmbyllja e pavarësisë është normale, me gjithë se kemi një përshpejtim të aprovimit të ligjeve të cilat kur bëhen për ngut atëherë nuk dalin edhe shumë cilësore. Në këtë drejtim, kemi edhe veriun e Kosovës, i cili nuk qeveriset dhe nuk administrohet ende, gjë që prezenca e bashkësisë ndërkombëtare edhe më tutje do të jetë një ndër faktorët e angazhuar dhe nuk mund ta quajmë edhe pavarësi në kuptimin e mirëfilltë”, ka thënë ai përmes telefonit.
Kurse Glauk Konjufca nga lëvizja Vetëvendosje i ka thënë Kosovapressit se procesi i përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës është shumë me rëndësi, por ai ka shfaqur brengën se me këtë rast po fuqizohet Kryeministri i Kosovës, duke i kaluar të gjitha kompetencat e Shefit të ICO-së Kryeministrit. Sipas tij, propozimi i Vetëvendosjes është që të fuqizohet Kuvendi.
“Procesi i përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës është me rëndësi, mirëpo ky do të kishte qenë një proces shumë më kuptimplotë dhe në interes të popullit të Kosovës sikur të konceptohej si një proces i cili do ta fuqizonte popullin e Kosovës karshi pushtetit si dhe shtetin e Kosovës në aspektin ndërkombëtar. Mirëpo, se si po shkon puna mua po më duhet se krejt kjo do të përfundojë si një proces i cili po e fuqizon pushtetin karshi popullit edhe më shumë, pra po e fuqizon qeverinë si dhe Kryeministrin, kurse në aspektin ndërkombëtar jo që po e fuqizon Kosovën. Pra, ato emërime të cilat i përkisnin përfaqësuesit civil ndërkombëtar tashmë do të jenë krejtësisht në kompetencën e Kryeministrit, përderisa lëvizja Vetëvendosje është që të fuqizohet Kuvendi i Republikës së Kosovës, në mënyrë që Kosova të shkonte vërtet drejt një Republike Parlamentar”, ka thënë ai.
Ai duke folur për veriun e Mitrovicës, ka thënë se nuk është justifikim që Qeveria ende nuk e ka shtrirë autoritetin e saj atje për shkak të pavarësisë së mbikëqyrur, por Konjufcaka shtuar se Qeveria e ka pasur mundësinë që ta vendosë rendin dhe ligjin edhe në atë pjesë të vendit.
“Sa i përket veriut mendoj se nuk ka qenë arsye apo justifikim për Qeverinë e Kosovës për të mos e shtrirë autoritetin e vet atje, për mbikëqyrjen e pavarësisë. Qeveria e ka pasur edhe kompetencën edhe mundësitë si ekzekutiv, edhe obligim kushtetues bile për ta shtrirë autoritetin në tërë territorin e vendit. Në këtë aspekt është bërë shumë pak, për të mos thënë asgjë. Katër vite përpjekjeje përfunduan me hapjen e një zyre të karakterit civil në veri, e cila bile po sfidohet prej strukturave kriminale të Serbisë edhe në mënyrë të armatosur”, ka thënë ai.
Kosovapress ka provuar të kontaktojë edhe përfaqësues Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.
Lidhur me shqetësimet e opozitës, njohës të çështjeve politike mendojnë ndryshe. Ata pajtohen se hapi i fundit nga GDN-ja do të sjellë edhe më shumë përgjegjësi për institucionet vendore, por shtojnë se nëse opozita mendon se Kosova duhet të jetë plotësisht e pavarur në kuptimin e plotë të fjalës, ata thonë se kjo ndodh vetëm në disa vende të botës.
Emrush Ujkani, njohës i çështjeve politike i ka thënë Kosovapressit përmes telefonit se është mirë që është bërë përmbyllja e mbikëqyrjes së pavarësisë, por ai tërheq vërejtjen se kjo sa është e mirë aq do të sjellë edhe përgjegjësi për institucionet e vendit.
“Realisht ky është një moment i rëndësishëm për Kosovën në aspektin formal, përmbushet një diçka, përmbyllet një diçka që iu është ditë fundi por faktikisht në këtë rrethana pak kush ka besuar se do të vijë kaq shpejt deri te përmbyllja e saj. Natyrisht kjo nënkupton një përgjegjësi shtesë për institucionet e Kosovës dhe për lidershipin kosovar në përgjithësi. Kjo assesi nuk duhet të kuptohet si diçka që ne tash e tutje mund t’i ecim punëve vetë”, ka thënë ai përmes telefonit për Kosovapressin.
Sa i përket pranisë ndërkombëtare, Ujkani ka thënë se nëse mendohet që Republika e Kosovës duhet të jetë e pavarur në kuptim të plotë të fjalës, atëherë sipas tij, kjo ndodh vetëm në disa vende të botës. Ai ka shtuar se përmbyllja e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës është një hap pozitiv, i cili sipas tij, do të sjellë edhe mesazhin e qartë edhe te ato shtete që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që ta bëjnë një gjë të tillë, pasi që me vendimin e fundit të GDN-së, Republika e Kosovës është e aftë të funksionojë e vetme pa mbikëqyrje ndërkombëtare.
“Mos harroni, shtrirja e sovranitetit në gjithë territorin e Kosovës jemi shumë të vetëdijshëm se është e pamundur të arrihet vetëm nga institucionet e Kosovës në këtë rast. Neve na duhet partneritet, partneriteti me bashkësinë ndërkombëtare duhet edhe për shumë aspekte të tjera. Nëse ia shtojmë kësaj edhe një element tjetër, sot pothuajse janë të rralla ato shtete në botë që mund ta konsiderojnë veten të pavarura në kuptimin e plotë të fjalës. Mendoj se në aspektin psikologjik dhe në aspektin diplomatik kjo do ta ketë rëndësinë e vet, sepse shumë shtete duhet të mendojnë se Kosova ka arrit një progres të caktuar dhe ta lëmë që të funksionojë si shtet në vete pa pasur nevojë monitorimi”, ka thënë Ujkani përmes telefonit.
Ndryshe, përmbyllja e mbikëqyrjes së pavarësisë së Republikës së Kosovës nënkupton që deri në shtator Kosovës i mbetet që të miratojë pakon e ligjeve të mbetura. Po ashtu, përmbyllja e mbikëqyrjes së pavarësisë do të pasojë edhe me ndryshimet kushtetuese, e sidomos në ato pjesë ku flitet për prezencën ndërkombëtare dhe përgjegjësisë e tyre. (LajmeShqip.com)