Lajme Shqip Friday, 12 October 2012 12:22

Prishtinë – Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Fule, ka thënë se veriu i Kosovës mbetet sfidë për BE-në, duke shtuar se kjo e fundit është e gatshme ta ndihmojë Kosovën për ta zgjidhur këtë çështje. Fyle ka thënë se rruga e Kosovës për në BE varet ekskluzivisht nga institucionet vendore e jo nga BE-ja. Kurse kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, ka thënë se integrimi i Kosovës në BE nuk është luks, por është qëllim i institucioneve të vendit.

Dy ditë pas publikimit të raportit të Fizibilitetit, Komisioneri i BE-së për Zgjerim, Stefan Fule, është takuar me liderët kryesor të institucioneve të vendit.

Fyle pas takimit me Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, në një konferencë për media ka thënë se në raportin e Studimit të Fizibilitetit, pos tjerash, e kanë adresuar edhe çështjen e veriut, e cila, sipas tij, mbetet sfidë për BE-në.

“Ne po ashtu kemi adresuar në raport edhe çështjen e veriut të Kosovës. Kjo është një sfidë në të cilën ne jemi të gatshëm t’ju ndihmojmë”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se është shumë me rëndësi që të Kosova të vazhdojë së zbatuari me mirëbesim të gjitha marrëveshjet e arritura në mes Prishtinës dhe Beogradit deri më sot, mesazh të cilin ai ka thënë t’ia ketë përcjellë edhe dje në Beograd, zyrtarëve serbë.

Më tej, Fyle ka thënë se Kosova ka arritur shumë gjatë këtij viti, ku sipas tij, tashme nuk jemi në fazën e bisedave, por në fazën e marrjes së vendimeve shumë të rëndësishme.

“Ju keni arritur shumë gjatë këtij viti. Fillimin e dialogut për liberalizimin e vizave, dialogun për sundimin e ligjit dhe keni arritur progres substancial për pjesëmarrjen në programet e Bashkimit Evropian, ku më nuk jemi në nivel të bisedave, por kemi filluar të marrim vendime shumë të rëndësishme”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se rruga e Kosovës drejt BE-së varet ekskluzivisht nga puna e institucioneve të vendit e jo nga BE-ja.

“Ecja e Kosovës drejt BE-së nuk varet nga ne në Bashkimi Evropian, por ekskluzivisht varet nga puna juaj dhe përpjekjet tuaja”, ka thënë ai.

I pyetur nga gazetarët se a është dialogu kusht për Kosovën që ta nënshkruaj marrëveshjen për Satbilizim Asocim, Fyle ka thënë se dialogu nuk është kusht për Kosovën.

Kurse Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se raporti i Studimit të Fizibilitetit është historik për Kosovën, pasi që është edhe raporti i parë në relacionet shtet i Kosovës dhe Bashkim Evropian. Thaçi ka thënë se Integrimi i Kosovës në BE nuk është opsion apo luks, por është qëllim i institucioneve të vendit.

“Dokumenti i Studimit të Fizibilitetit ishte dokumenti historik për Kosovën pasi që është edhe dokumenti i parë në relacionin shteti i Kosovës me Bashkimin Evropian. Integrimi i Kosovës në Bashkim Evropian nuk është opsion, nuk është ndonjë luks. Integrimi i Kosovës në BE është qëllimi ynë, është vizioni ynë. Unë ju siguroj i nderuari Komisioner se Kosova do të prodhojë argumente të qëndrueshme dhe të mjaftueshme për ju në mënyrë që ta shtyni agjendën tonë evropiane përpara. Ne jemi të bindur se për pak muaj do t’i përmbushim kriteret afatshkurtra”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se Kosova ka qenë e gatshme dje, është e gatshme sot që të hyjë në marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian. Sipas tij, dialogu është mënyra më e mirë dhe e vetme për të ecur përpara.

Kryeministri Thaçi ka thënë se Kosova ka ndërtuar fqinjësi të mirë me të gjitha vendet e rajonit dhe është e gatshme për normalizimin e marrëdhënieve edhe me Serbinë.

Sipas tij, evropianizimi i rajonit duhet të ndodh para integrimit tonë në Bashkim Evropian.

Kosova dhe Serbia, sipas Thaçit, duhet të ecin në rrugën evropiane duke ai lehtësuar punën njëra-tjetrës dhe jo duke e penguar njëra-tjetrën.

Fule: Dialogu nuk është kusht

Kryeministri i Republikës së Kosovë, Hashim Thaçi, pas takimit që pati me komisionerin e BE-së për zgjerim, Stefan Fule, e ka përshëndetur raportin për studimin e fizibilitetit duke shtuar se Kosova është e gatshme t’i përmbush të gjitha kushtet që dalin nga BE karshi Kosovës.

Ai ka thënë se Kosova është e gatshme t’i normalizojë raportet me të gjithë fqinjët, me theks të veçantë me Serbinë duke shtuar se Kosova dhe Serbia duhet ta ndihmojë njëra tjetrën në këtë proces dhe jo ta bllokojnë njëra tjetrën. Kurse komisioneri Fule ka thënë se studimi i fizibilitetit e trason rrugën e Kosovës drejt BE-së ku, sipas tij, BE e ka vënë në qendër të vëmendjes çështjen e Kosovës.

I pyetur nga gazetarët se a mund të jetë kusht vazhdimi i dialogut që Kosova të fitojnë nënshkrimin e Stabilizim asocimit, ai ka thënë se nuk është kusht dialogu.

Presidentja në darkë pune me komisionerin

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, pati një darkë pune në Prishtinë me komisionerin për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Stefan Fule.

“Në këtë takim Presidentja Jahjaga dhe komisioneri Fule biseduan për të gjitha aspektet e rrugës së integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, Studimin e Fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe procesin e liberalizimit të vizave”, thuhet në një komunikatë të Presidencës.

Sipas saj, presidentja Jahjaga dhe komisioneri Fule kanë biseduar edhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për zbatimin e marrëveshjeve të arritura gjatë këtij procesi.

“Në këtë takim ishin të pranishëm ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar, shefi i EULEX-it, Xavier Bout de Marnhac dhe zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Drejtoratit për Zgjerim të Komisionit Evropian, Pierre Mirel”, përfundon komunikata e presidencës.

Fule në Prishtinë

Dy ditë pasi Komisioni Evropian ka publikuar pakon e tij për Zgjerim 2012, përfshirë Studimin e Fizibilitetit për një Marrëveshje Stabilizim-Asocimi në mes të BE-së dhe Kosovës, Komisioneri për zgjerim, Shtefan Fule, sot do të qëndrojnë në Kosovë, ku do të ketë takime me liderë të lartë të vendit.

Fule, pas pak do të ketë takim me kryeministrin e vendit, Hashim Thaçi, ku më pas kanë edhe në konferencë të përbashkët për media.

Po, sot komisioneri Fule do të ketë takim edhe me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniq.

Të mërkurën, Komisioneri Fule ka thënë se Kosova po ec me hapa të mëdhenj në shtegun e saj drejt Bashkimit Evropian.

“Këtë vit Kosova ka pranuar udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, ka pasur progres në pjesëmarrje në programet e BE-së dhe tani ka pranuar Studimin e Fizibilitetit për një MSA. Në këtë studim, Komisioni e bën të qartë se ai do të propozojë një mandat për një MSA sapo që Kosova të plotësojë prioritetet afatshkurta”, ka thënë Fule. (LajmeShqip.com)