Lajme Shqip Tuesday, 24 June 2014 13:19

Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fule ka konfirmuar vendimin e Këshillit të BE-së për t’i dhënë statusin kandidat Shqipërisë.

“Urime për statusin e kandidatit, miratuar nga Ministrat, njohje e përpjekjeve për reforma, nxitje për më shumë”, shkruan ai në Twitter.

Pas urimit të Fules, kryeministri Edi Rama ka biseduar me komisionarin. 

“Sapo fola me Stefan Fulen, e jam krenar qe ia dolëm të gjithë bashkë e sigurisht#PS-LSI:-)Flm e mirënjohje për gjithë JU”, shprehet Rama.

Lidhur me ketë lajm ka reaguar dhe ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati. “Po ne mundemi! Status kandidat për Shqipërinë, perspektiva bëhet e qartë”, shkruan ai në Twitter.

Këshilli i ministrave të Jashtëm të BE-së u mblodh sot në Luksemburg për të diskutuar dhënien e statusit për Shqipërinë. Vendimi pozitiv vjen pasi 5 vende të BE-së në muajin dhjetor të vitit të kaluar kërkuar shtyrjen e këtij vendimi për të kërkuar rezultate të qëndrueshme nga Shqipëria.

Hapi i ardhshëm i Shqipërisë në procesin e integrimit në BE është hapja e negociatave për anëtarësim.