Lajme Shqip Tuesday, 27 March 2012 11:40

Prishtinë – Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Stefan Fule, shpalli zyrtarisht fillimin e studimit të fizibilitetit në takimin inaugurues të Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian të Kosovës, që do të sigurojë një hulumtim gjithëpërfshirës për integrimin e mëtejshëm të Kosovës në kornizën e politikës së BE-së për Ballkanin Perëndimor.

“Jam i lumtur që jam këtu dhe që zyrtarisht të fillojmë me studimin e fizibilitetit. Takimi ynë i sotëm shënon fillimin e një faze të bashkëpunimit intensiv”, tha Fule.

Takimi inaugurues i Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian të Kosovës, po mbahet në Prishtinë, nën udhëheqjen e presidentes së Republikës, Atifete Jahjaga, e cila mbajti fjalën e hyrjes.

Në takim po marrin pjesë dhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi, lideri i opozitës Isa Mustafa – kryetar i LDK, zyrtarë të tjerë të lartë të institucioneve e udhëheqës të partive politike, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile, si dhe diplomatë ta akredituar.