Lajme Shqip Thursday, 22 October 2015 08:38

Seanca e Kuvendit të Kosovës, e cila është thirrur për ditën e premte, ka rrezik që të shndërrohet në një arenë përleshjesh në mes deputetëve të pozitës dhe opozitës. Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, bashkë me anëtarët e Kryesisë, pavarësisht kërcënimit të opozitës se do të përdorë të gjitha mjetet për ta pamundësuar vazhdimin e punimeve, ka vendosur që të mbajë seancë të re.

Përfaqësuesit e tri partive politike opozitare thonë se thirrja e seancës për ditën e premte pa pasur lëvizje rreth marrëveshjeve të arritura për Asociacionin e Komunave Serbe dhe Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi është provokim i situatës. Fatmir Limaj, nga “Nisma për Kosovën”, gjatë një debati televiziv ka thënë se posedon informacione se partitë në pushtet janë duke e përgatitur një skenar që në seancën e radhës të ketë edhe përleshje fizike në Kuvend në mes deputetëve.

Të njëjtin mendim e ndan edhe shefi i Grupit Parlamentar të “Vetëvendosjes”, Glauk Konjufca, i cili thotë se ekziston rreziku që seanca e radhës të ketë epilog përleshjesh në mes deputetëve…/Zeri