Lajme Shqip Tuesday, 23 April 2013 11:49

Tiranë – Fryma e Re Demokratike, e drejtuar nga Bamir Topi dhe Aleanca Kuqezi e Kreshnik Spahiut, duket se po shkojnë të dyja secila më vete në zgjedhje, pa u përfshirë në dy koalicionet e mëdha dhe as në një koalicion të përbashkët mes tyre.

Më konstant dhe i qartë në qëndrimet e veta ka qenë Bamir Topi, i cili i është përmbajtur qysh në fillim linjës së konkurrimit të vetëm, duke i quajtur dy blloqet e mëdha politikë e vjetër. Ai ka lënë për njëfarë kohe të hapur opsionin për një koalicion të qendrës, por duket se më në fund ka vendosur të dalë i vetëm fare.

Edhe Spahiu duket se po shkon i vetëm në zgjedhje, nëse deri nesër nuk arrin një marrëveshje me koalicionin e majtë. Është e paqartë përse nuk pajtohen më koalicioni i majtë me Spahiun, pasi të dy palët nuk po flasin publikisht për arsyet.

Privatisht thonë arsye krejtësisht të kundërta. Përfshirja e Dules nuk ka qenë më parë një kusht përjashtues nga Spahiu dhe po ashtu është gëlltitur aleanca me LSI. E vetmja gjë duket se mund të jetë kërkesa e tij për një kuotë në listat e PS. Ndërkohë publikisht ai ka thënë se i ka dërguar një letër PS ku i tregon kushtet e Aleancës, të cilat janë kryesisht retorikë politike dhe nacionaliste që ka të bëjë me arrestimin e Berishës, bashkimin e trojeve, etj.

Një përpjekje e fundit e Spahiut mund të jetë një koalicion me parti të vogla të qendrës dhe të së djathtës si ndonjë fraksion i Ballit Kombëtar, ndonjë fraksion i partive çame etj, por duket se nuk ka shumë kohë për këtë.

Në këto kushte ai ose do të hyjë tek PS, ose do të dalë i vetëm që të mos rrezikojë rritjen e pragut elektoral në Tiranë në 18 mijë vota për deputetin e parë.

Sot është dita vendimtare që do të tregojë për pozicionin e AK në koalicione. Pas kësaj fillon fushata.(LajmeShqip.com)