Lajme Shqip Wednesday, 01 June 2011 09:04

Prishtinë – Republika e Francës do ta mbështesë fuqishëm forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës dhe do të jetë një zë i fuqishëm i Republikës së Kosovës, në rrugën e saj integruese në Bashkimin Evropian.

Këtë qëndrim të shtetit francez e ka rikonfirmuar Ministri i Punëve të Jashtme të Francës, Alain Juppé gjatë takimit që zhvilloi në Paris me Ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj.

Në takim u diskutua për thellimin e marrëdhënieve bilaterale mes Francës dhe Kosovës. Ministri francez, Alain Juppé, siguroi se Franca edhe më tej do të mbështese dhe promovojë fuqishëm pavarësinë e Kosovës në botë.

“Ne edhe më herët kemi mbështetur Kosovën për sigurimin e njohjeve dhe këtë do të bëjmë edhe në të ardhmen”, ka theksuar Juppé.

Në takim u bisedua dhe për zhvillimin e marrëdhënieve strategjike mes Francës dhe Kosovës dhe mundësinë e investimeve të kompanive franceze në Kosovë.

Ministri i Punëve të Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj falënderoi Ministrin francez Juppé për ndihmën që Franca i ka dhënë Kosovës para dhe pas pavarësisë dhe kërkoi ndihmë për procesin e liberalizimit të vizave, integrimeve Evropiane, lidhjen e marrëdhënieve kontraktuale me BE-në dhe përmbylljen e procesit të njohjeve.

Me këtë rast, Ministri Juppé ka siguruar ministrin Hoxhaj se Franca do të jetë një zë i fuqishëm i Kosovës në rrugën e saj për në Bashkimin Evropian.