Lajme Shqip Friday, 26 April 2013 14:46

Bruksel – Në Bruksel vazhdojnë sot diskutimet e ekipeve të Prishtinës dhe Beogradit për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.

Delegacionet u takuan dje për afro 10 orë për të diskutuar parimet dhe detajet rreth zbatimit të paktit që lidhën dy kryeministrat Hashim Thaçi e Ivica Daçiq për përgjegjësitë që do te kenë serbët e veriut të Kosovës.

Në agjendë të diskutimeve është afatizimi i përmbushjes së 15 pikave të pajtuara në marrëveshje, dhe dhënia e prioriteteve të punës në terren.

Planin e zbatimit të marrëveshjes në mes Kosovës dhe Serbisë do ta nënshkruajnë dy kryeministrat së bashku me marrëveshjen për normalizimin e raporteve, ndërsa nënshkrimin në këto dy dokumente do e vejë edhe ndërmjetësja e dialogut Prishtinë – Beograd, baronesha Catherine Ashton.

Këtë e ka konfirmuar zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, i cili kryeson me delegacionin e Prishtinës në takimet që po zhvillohet në lidhje me implementimin e marrëveshjes Thaçi-Daçiq.

Sipas Kuçi, pritet përafrimi i qëndrimeve të dyja palëve në mënyrë që të procedohet tutje me planet për ceremoninë formale të nënshkrimit.

Sipas tij, duket se ka nevojë për presionin më të madh ndërkombëtar ndaj palës serbe për implementim të marrëveshjes së arritur. Marrëveshja e së premtes në Bruksel u cilësua si historike dhe e njëjta hapë dyert për procese të integrimeve evropiane për të dyja shtetet.

Kurse në Beograd, sot pritet të mbahet një debat në Kuvendin e Serbisë pasi në rend dite deputetët kanë marrëveshjen Serbi-Kosovë, si dhe të gjitha aktet e tjera të nxjerra gjatë dialogut politik e teknik në Bruksel mes dy vendeve. Qeveria e Serbisë, ka miratuar në mbledhjen e saj të së hënës marrëveshjen me Prishtinë.(RTK/KLajmeShqip.com)