Lajme Shqip Friday, 13 June 2014 13:48

Në një analizë mbi zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë revista e njohur amerikane për çështje globale “Foreign Policy” kritikon ashpër mënyrën se si Hashim Thaçi dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e kanë qeverisur vendin, njofton Koha. net .

“Qeverisja e Thaçit u dominua nga menaxhimi i keq i financave, nepotizmi, krimi ndërkombëtar dhe skandalet e korrupsionit”, shkruan kjo revistë. 

Brenga më e madhe e banorëve shqiptarë dhe serbë të Kosovës është çështja e punësimit, por privatizimi dhe ofertat e fshehta dhe jotransparente të protagonistëve politikë dhe shërbëtorëve të tyre i kanë kufizuar mundësitë për punësim, nënvizohet më tutje në artikull. 

Sipas “Foreign Policy” një vend pune në Kosovë mund ta gjejnë vetëm ata që kanë lidhje familjare apo politike. Para zgjedhjeve shumica e rivalëve të Thaçit paralajmëruan fundin e pushtetit të Thaçit për shkak të grumbullit të skandaleve të korrupsionit, keqmenaxhimit dhe supozimeve për përfshirje në krim të organizuar.

“Foreign Policy” shkruan se suksesi i Thaçit në zgjedhje nuk është rezultat i ndryshimit të disponimit në zemrat e njerëzve, por për shkak të pjesëmarrjes së ulët që vjen nga apatia dhe frustrimi I votuesve. 

Si sfidë për të ardhmen e Kosovës revista amerikane përmend çështjen e pazgjidhur të veriut me shumicë serbe, që do të mbetet edhe më tutje nyje për kohezionin e brendshëm të Kosovës dhe bashkëpunimin rajonal me shtetin fqinj – Serbinë, e cila ende nuk e pranon pavarësinë e Kosovës./Express/