Lajme Shqip Monday, 26 October 2015 20:30

Pas 20 vjet paqeje, Republika Srpska ka kërcënuar se do ta prish marrëveshjen e paqes që e ka mbajtur Bosnjën të bashkuar.

Një krizë e re është duke shpërthyer në Bosnje dhe Hercegovinë, kur është duke u afruar 20 vjetori i Marrëveshjes së paqes së Dejtonit, e cila kishte ndërprerë luftën e përgjakshme që zgjati 3 vjet e gjysmë ndërmjet serbëve, kroatëve dhe boshnjakëve, shkruan “Foreign Policy”.

Më 21 nëntor në Dejton, Ohio të SHBA-ve, i deleguari Richard Holbrooke arriti një fitore të madhe diplomatike që i dha fund konfliktit dhe vuri themelet e një shteti të qëndrueshëm, thuhet në shkrimin që e transmeton Koha.net.

Marrëveshja e Dejtonit gjithashtu kishte krijuar një mbikëqyrje ndërkombëtare, e cila do të kujdesej për zbatimin e Marrëveshjes së paqes.

Ky përvjetor do të duhej të ishte një ditë feste, por fatkeqësisht mund të ndodhë të mos jetë ashtu.

Marrëveshja e Dejtonit kishte krijuar dy njësi autonome brenda Bosnjës: Federatën Boshnjake-Kroate dhe atë të serbëve, Republika Srpska.

Presidenti i Republika Srpska, Milorad Dodik, planifikon një plebishit në paradën e përvjetorit, që, më 15 nëntor, shkel haptazi Marrëveshjen e Dejtonit, dhe shumë njerëz këtë e shohin se një referendum për pavarësi.

Plebishiti i planifikuar ka vetëm një pyetje: “A e mbështesni imponimin antikushtetues dhe të paautorizuar të ligjeve nga ana e Përfaqësuesit të Lartë të komunitetit ndërkombëtar në Bosnje dhe Hercegovinë, veçanërisht ligjet e imponuara mbi Gjykatën dhe Zyrën e Prokurorisë së [Bosnje-Hercegovinës] dhe zbatimin e vendimeve të tyre në territorin e Republikës Srpska?”.

Një pyetje e tillë dërgon vetëm drejt një zgjidhjeje, që është referendumi për pavarësimin e Republika Srbska, e cila do të prishte Marrëveshjen 20 vjeçare të paqes dhe do të dërgonte në ndarjen definitive të Bosnjës.

Ky referendum ka marrë një përkrahje të madhe edhe nga Moska zyrtare, që mund të shtyjë në ngritjen edhe më të madhe të tensioneve ndërmjet Uashingtonit e Evropës Perëndimore, kundrejt Rusisë dhe aleatëve të saj.