Lajme Shqip Friday, 24 June 2011 13:51

Tiranë – Fondi Saudit për Zhvillim miratoi një kredi prej rreth 25 milionë USD për projektin e rrugës Tiranë – Elbasan.

Miratimi zyrtar i kredisë nga Fondi Saudit për Zhvillim është konfirmuar nga Ambasadori i Arabisë Saudite në Tiranë, Abdullah Abdulaziz Al-Abdulkarim, gjatë një takimi që pati me Ministrin e Financave, Ridvan Bode.

Ministri Bode, bënë të ditur burime zyrtare të ministrisë së Financave, falenderoi ambasadorin për miratimin e kredisë, e cila është me terma shumë të favorshëm financiarë. “Miratimi i kredisë tregon vlerësimin e lartë që ka Fondi Saudit për meritat teknike dhe financiare të këtij projekti”, u shpreh Bode.

Kredia ka një normë interesi 2 % dhe afat maturimi 25 vjet, nga të cilët 5 vitet e para janë pa pagesë.

Punimet për ndërtimin e tunelit, pjesë e autostradës Tiranë Elbasan, nisën në fund të muajit prill të këtij viti. Avantazhet e një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore, autostradës Tiranë-Elbasan, pritet të jenë të shumta. Sipas ekspertëve, kjo rrugë do të kthejë qytetin e Elbasanit në një zonë shumë të zhvilluar, pasi përmes saj do të ketë fluks transaksionesh tregtare e që priten të arrihen brenda 2 vitesh.

Një tjetër impakt i pritshëm nga ndërtimi i rrugës Tiranë-Elbasan është ndikimi për zhvillimin sa më të shpejtë të parkut industrial.

Autostrada e re bashkon Elbasanin me Tiranën, i shndërron ato në një treg unik, ndër më të rëndësishmit në rajon. Autostrada e re shkurton mbi 50 minuta, në distancë e shpejtësi, rrugën drejt Elbasanit dhe kjo jo vetëm për qytetarët e Elbasanit, por edhe për qytetarët e Sarandës e Konispolit, Delvinës e Gjirokastrës, Tepelenës e Përmetit, Skraparit e Beratit, Gramshit, Kolonjës, Korçës, Pogradecit e Librazhdit, duke qenë ajo segmenti i parë e më i rëndësishmi i Boshtit të Jugut.

Autostrada Tiranë – Elbasan, pjesë kryesore e Boshtit të Jugut, do të ketë një gjatësi prej 31.17 km, nga 55 km që është aktualisht dhe do të ndërtohet në kushte teknike për t’u përshkruar me një shpejtësi sa trefishi i asaj që është lejuar sot në këtë segment.

Rruga do të ketë katër korsi, e pajisur ndër të tjera me një numër të madh viaduktesh, 21 të tilla, 7 mbikalime dhe 4 nënkalime, me një numër të konsiderueshëm urash, disa prej tyre më të gjata se 400 metra.

Investimi më i rëndësishëm i saj është tuneli me një gjatësi prej rreth 2.4 km, i ngjashëm me tunelin e Bolzanos në Itali.

Shpejtësia e udhëtimit do të variojë nga 100 në 120 km në orë. Por bashkë me këtë segment, qeveria ka në plan të mbyllë brenda 4 vitesh gjithë Boshtin rrugor të Jugut.

Vlera totale e investimit të segmentit prej rreth 400 milionë dollarësh do të vijojë të ndërmjetësohet përmes IDB-së, duke kontraktuar dhe donatorë të tjera.

Në tenderin për ndërtimin e tunelit, pjesë e autostradës Tiranë-Elbasan, zhvilluar në muajin mars, paraqitën ofertat ekonomike 7 kompani. Për ndërtimin e këtij tuneli paraqiten interes 26 kompani. Pas fazës së parë të përzgjedhjes u kualifikuan 13 kompani, nga të cilat, vetëm 7 prej tyre paraqitën ofertat e tyre ekonomike.

Agjencia e Prokurimit Publik shpalli kompaninë greke “Aktor” fituese për ndërtimin e tunelit.