Lajme Shqip Saturday, 29 June 2013 14:06

Prishtinë – Zyra e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian në Kosovë ka njoftuar se po pret kompletimin e legjislacionit që ka të bëjë me marrëveshjen me Serbinë për të zyrtarizuar funksionimin e fondit për veriun. Ndërkohë qeveria ka nisur të shkurtoj mjetet në disa resorë qeveritar dhe ka planifikuar rritje të akcizës së duhanit për të mundur t’i vihen sa më shumë mjete në dispozicion këtij fondi. Marrëveshja mes Serbisë dhe Kosovës për t’i bashkuar paratë në një fond të vetëm i ashtuquajtur ‘Fondi për veriun’ nuk do të realizohet tërësisht sipas kërkesës së palës kosovareë që në benefitet e tij të përfshihen 7 komuna. 
Por, akoma pa u themeluar Qeveria e Kosovës ka filluar të bëjë shkurtime shpenzimesh në disa resorë që të vejë mjete në dispozicion të këtij fondi. 
Nga Ministria e Financave nuk kanë dhënë shpjegime rreth shkurtimeve që ka filluar ekzekutivi i vendit. Por, sipas dokumenteve që ka siguruar Radio Kosova fjala është shkurtim mjetesh në disa ministri, më së shumti nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në mënyrë që të mbushin konton e këtij fondi.
Dhe niveli i shkurtimeve të planifikuara është hiq më pak se 20 milionë euro në të gjitha nivelet: projekte kapitale, subvencione, mallra dhe shërbime dhe transfere.
Sipas të njëjtave burime gjithashtu Fondi do të përfshij vetëm Zveçanin, Leposaviqin, Zubin Potokun dhe komunën e Mitrovicës veriore që pritet të themelohet. Gjithashtu mësohet se për të përfituar nga ky fond do të ketë pak mundësi edhe komuna e Mitrovicës së jugut, por jo edhe dy të tjerat Vushtrria dhe Skenderaj siç ka kërkuar qeveria e Kosovës.
Deri më tani asnjëra nga palët nuk ka sqaruar se ku do të merren 16 milionët që është paraparë të ketë fillimisht ky fond.
Zyra e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian Samuel Zhbogar që do të ketë rol udhëheqës rreth arkitekturës së këtij fondi ka njoftuar se themelimi i këtij fondi i paralajmëruar të bëhet në qershor ka qenë i kushtëzuar nga kalimi i legjislacionit të nevojshëm nga Qeveria e Kosovës, raporton RTK.
Sipas përgjigjes së dhënë përmes postës elektronike miratimi i legjislacionit bënë që së shpejti të themelohet ky fondit.
Fondi do të mbledhë paratë nga pikat kufitare në veri, taksat dhe donacionet e Serbisë dhe ato të jashtme dedikuar për veriun.
Ky Fond do të mbikëqyret nga zyrtarët e Bashkimit Evropian dhe informacionin e rregullt rreth administrimit të tij t’i kenë të dyja qeveritë e Kosovës dhe Serbisë. Gjithashtu Asosacioni i Komunave Serbe do të ketë rol domethënës në menaxhimin këtij fondi.