Lajme Shqip Thursday, 02 June 2011 08:30

Prishtinë – FMN-ja ka kumtuar se nuk do të japë asnjë fond për Kosovën gjatë këtij viti, pasi që e ka ndërprerë marrëveshjen e nënshkruar vitin e kaluar, me të cilin parashikohej ndihmë në vlerë prej mbi 100 milionë eurosh.

Kjo gjë u paralajmërua edhe nga Vetëvendosja, përderisa kryeministri Thaçi tha se bashkëpunimi me FMN-në është përforcuar.

Kryeministri theksoi se është arritur pajtimi për një program monitorimi nga FMN deri në fund të vitit 2011. Monitorimi ka të bëjë me një pako të ruajtjes së qëndrueshmërisë fiskale si dhe menaxhimin e ekzektutimin më të fuqishëm të buxhetit.

“Zbatimi i suksesshëm i këtij programi gjatë këtij vitit do të sigurojë vazhdimin e mbështetjres dhe asistencën nga FMN dhe donatorë të tjerë. Gjatë kësaj kohe janë zhvilluar edhe takime të suksesshme me BB dhe KE”, ka thënë ai.

Kjo, sipas Thaçit, është dëshmi se marrëdhëniet e Kosovës me FMN-në jo vetëm që nuk janë shkëputur, por janë vendosur në bazë të një partneriteti të fuqishëm. Mirëpo, ky program monitorimi, sipas Shpend Ahmetit nga Vetëvendosje nënkuptonte se FMN i ka ndërprerë fondet për sivjet:

“FMN po vlerëson se Kosova ka dalë jashtë premtimeve që ii ka bërë dhe tash kalohet në një nivel më të ulët të marrëveshjes që është programi i monitorimit nga stafi, që do të thotë se Kosova sivjet nuk do të ketë qasje në ato para që janë premtuara nga FMN”, ka thënë ai.

Qeveria e Kosovës dhe FMN, në korrik të vitit të kaluar kishin nënshkruar marrëveshjen e ashtuquajtur “StandBy”, për shumën mbi 100 milionë eurosh, në kohëzgjatje për 18 muaj. Ndërkohë, sot FMN zyrtarisht ka konfirmuarse e ka shkëputur këtë marrëveshjen, gjë që nënkupton ndërprerjen e ndihmës, për arsye të rritjes së rrogave dhe elementeve të buxhetit. Megjithë këtë, kryeministri Thaçi garantoi se çështja e ngritjes së pagave ka përfunduar dhe nuk do të ketë probleme financiare për realizimin.

Nga ana e tij, Shpend Ahmeti vlerëson se mungesa e këtyre fondeve, me të cilat është parashikuar mbulimi i deficitit, do të krijojë probleme të mëdha fiskale.