Lajme Shqip Saturday, 29 October 2011 21:06

Prishtinë – Autoritetet ndërkombëtare të EULEX-it dhe ato të UNMIK-ut në Kosovë kanë lëshuar urdhërarrest ndërkombëtar për pesë serbët e dyshuar për vrasjen e policit Enver Zymberi, në veri të Kosovës, gjatë aksionit për kthimin e kontrollit në dy pikat kufitare.

Emrat e Ratomir Bozhoviqit, Radovan Radiqit, Millovan Vllashkoviqit, Sllobodan Vuçiniq dhe Dushan Jovanoviqit janë publikuar në faqen zyrtare të Interpolit. Aty shkruan se ata kërkohen për vrasje. Jashtë kësaj liste ka mbetur vetëm Ratomir Kasaleviq.

Portali LajmeShqip.com pati publikuar urdhërarrestin e lëshuar nga Gjykata e Qarkut e Mitrovicës, kundër serbëve të kërkuar, qysh muajin e kaluar. Gjashtë fotografitë e kriminelëve që i ka publikuar për herë të parë dhe ekskluzivisht Portali LajmeShqip.com i gjeni këtu.

Ata janë nga Mitrovica dhe Zubin-Potoku. Kundër këtyre serbëve është lëshuar urdhër për arrestim, më 15 shtator të këtij viti, nga Gjykata e Qarkut e Mitrovicë me kërkesë së Prokurorisë.

Ratomir (Radun) Bozovic, i njohur me nofkën “Dude”, i lindur më 3.3.1961, në Dobroshevinë të Zubin Potokut. Ai, adresë të banimit e ka të shënuar rrugën “Arsenije Carnojevic”, nr.88, në Zubin Potok. Në urdhërarrest shënohen edhe detajet tjera, gjatësia 173 cm, pasha 64 kg, sytë ngjyrë kafe dhe flokët ngjyrë kafe. Ai është pronar i hotelit “Aleksandrija”, në Zubin Potok.

Radovan (Zoran) Radic, i nacionalitetit serb, i lindur më 19.10.1981, në Mitrovicë, banon në fshatin Zupç të Zubin Potokut. Gajtësia 190 cm, sytë ngjyrë të zezë, flokët të kaltra.

Milovan (Dragutin) Vlaskovic, po ashtu i nacionalitetit serb, i lindur më 28.10.1979, në Zubin Potok, banues në rrugën “Kollashinski Knazeva”, në po këtë qytezë.

Slobodan (Blagoje) Vucinic nacionalitetit serb, i lindur më 17.3.1990, në Mitrovicë, banon në fshatin Zupç të Zubin Potokut. Karakteristikat tjera të tij: I gjatë 175 cm, pesha 80 kg, sytë ngjyrë kafe, flokët ngjyrë kafe.

Dushan (Dragoljub) Jovanovic është personi i pestë në listë, i kërkuar nga policia. Ai është i lindur më 10.4.1989, në Mitrovicë, kurse banon në rrugën “Kollashinski Knazeva”, në Zubin Potok. Është, po ashtu, i nacionalitetit serb. Karakteristikat tjera të tij: I gjatë 190 cm, pesha 85 kg, sytë ngjyrë kafe, flokët ngjyrë të kaltër.

Ratomir (Uros) Kasalevic është personi i gjashtë në listën e të superkëkruarve të veriut. Është i nacionalitetit serb. I lindur më 26.6.1972 në Zupç të Zubin Potokut dhe banues po ashtu në Zupç.

Karakteristikat tjera të tij: I gjatë 182 cm, pesha 95 kg, sytë ngjyrë kafe, flokët ngjyrë kafe.

Portali ka raportuar edhe më herët për implikimet kriminale të njërit prej gjashtë të kërkuarve, Ratomir Bozoviçit, në zhvillimet e fundit në veri të Kosovës. Ai është i njohur për bashkëpunimin e ngushtë dhe kriminal me strukturat e MUP-it të Serbisë dhe ato të të ashtuquajturës Mbrojtja Civile Territoriale, e cila përfaqëson ushtrinë serbe. Bozoviç, i njohur me nofkën “Dude”, përpos implikimeve të mëhershme në krimin e organizuar në veri, është i përfshirë dhe me rol jashtëzakonisht aktiv në barrikadimin e fundit të rrugëve në veri të Kosovës. Ai, njëkohësisht, i prinë listës së gjashtë serbëve të kërkuar për vrasjen e policit Enver Zymberi dhe për djegien e pikës kufitare në Jarinjë.

Portali ka raportuar, njëkohësisht, se urdhërdhënës i të dyja këtyre veprimeve është pikërisht kryetari i Zubin Potokut, Sllavisha Ristiq. Kundër aksionit të parë të Policisë së Kosovës dhe asaj të EULEX-it, javë më parë, për kapjen e gjashtë të kërkuarve, më i zëshmi ka qenë pikërisht kryetari i Zubin Potokut, Sallavisha Ristiq. (LajmeShqip.com)

Publikimet e plota në Interpol:
1. Radovan Radiq
2. Ratomir Bozhoviq
3. Millovan Vllashkoviq
4. Vuçiniq Sllobodan
5. Jovanoviq Dushan