Lajme Shqip Thursday, 27 June 2013 00:24

Tiranë- Sali Berisha, mbajti fjalimin e fundit si kryeministër i shqiptarëve duke njoftuar tërheqjen e tij edhe nga Partia Demokratike. 

 

Fjalimi i plotë i Berishës

 

“Të dashur demokrate dhe demokratë,
qytetare dhe qytetarë,
mbështetës të Partisë Demokratike,
shqiptare dhe shqiptarë në Shqipëri edhe kudo që jeni,

Sot jam para jush për një mesazh, por dua të theksoj një mesazh pak të vonuar, për faktin e vetëm se kam dashur të respektoj punën me vetëmohim të madh të komisionerëve tanë në numërimin e votave, proces i cili po shkon në kutitë e fundit.

Më së pari, më lejoni të shpreh mirënjohjen time të pakufishme ndaj qindra mijëra qytetarëve shqiptarë, të reja dhe të rinj, burra dhe gra, fëmijë dhe të moshuar, që më shoqëruan mua nga Koshovica në Tropojë, me mikpritjen më të çiltër, më fisnike, më entuziaste që kam provuar ndonjëherë. Në shi dhe rrebesh, në vapë dhe pikë të diellit, herët në mëngjes dhe vonë në darkë, ne shtrënguam duart njëri me tjetrin, shkëmbyem mendime, ndoqën me vëmendje alternativën tonë, brohoritën me entuziazëm në mitingjet tona dhe më bënë mua si dhuratën më të çmuar fushatën elektorale më të pasur, ndofta më të bukurën e më masive të jetës sime. Unë personalisht, njëlloj si ata, jam përpjekur të bëjë më të mirën. Kam punuar me energji, përkushtim dhe entuziazëm, edhe më të madh se në shumë fushata të tjera.

Por unë sot dua të përulem me nderimin më të madh para militantëve, anëtarëve të thjeshtë të Partisë Demokratike për sakrificën e mundin, djersën e tyre në këtë fushatë dhe në të gjitha fushatat. Ata janë energjia e pashtershme e Partisë Demokratike dhe të gjitha betejave të saj. Shfrytëzoj rastin të falënderoj përzemërsisht kandidatët për deputetë të Partisë Demokratike, shtabet e tyre elektorale, komisionerët tanë për përkushtimin e tyre të madh në këto zgjedhje.

Dua të falënderoj me shumë mirënjohje të gjithë qytetarët shqiptarë që në këto zgjedhje votuan për Partinë Demokratike, kandidatët e saj, vendosën besimin e tyre tek Partia Demokratike dhe Sali Berisha, si dhe çdo shqiptare dhe shqiptar që mori pjesë në këto zgjedhje, duke nderuar me votën e tij sistemin tonë pluralist.

Të dashur demokrate dhe demokratë,
qytetare dhe qytetarë që keni mbështetur edhe mbështesni Partinë Demokratike,

Unë e di se sot, të gjithë ju, ndiqni jo pa trishtim këtë fjalën time. Dhe kjo është e ligjshme, sepse ju, me të drejtë, prisnit dhe meritonit sot një fjalë tjetër nga unë. Por unë jam këtu, para jush, jo për të komunikuar rezultatin e zgjedhjeve, sepse ai tashmë është i qartë për çdo njeri dhe, natyrisht, i pranuar nga unë edhe Partia Demokratike, por jam para jush për t’ju njohur ju me një vendim tim.

Në karrierën time politike më shumë se dy dekada, unë në çdo pozicion që kam patur, e kam ndjerë veten si shërbëtor i juaj dhe vendit tim edhe e kam konsideruar këtë privilegjin më të madh të jetës sime. Kam bërë gjithçka të përmbush me përkushtim, nder dhe dinjitet detyrimet e mija ndaj jush, duke qenë gjithnjë i vendosur se do të largohesha nga postet e mia ditën e parë që unë të konstatoja se arsyet shëndetësore nuk do të më lejonin të përmbush detyrimet ndaj jush. Lavdi Zotit, kjo nuk ndodhi. Energjitë e mia sot janë po ato që kam patur 20 vjet më parë.

Por përveç kësaj, unë gjithnjë kam qenë i vendosur t’i bindem plotësisht verdiktit të sovranit, i cili foli qartë në këto zgjedhje. Unë u përkas atyre politikanëve që besojnë se ai nuk gabon, që beson se ai ka gjithnjë të drejtë. Në këto zgjedhje ne paraqitëm para qytetarëve shqiptarë një program konkret për finalizimin e projektit: Shqipëria vend i zhvilluar, rritjen e rrogave dhe pensioneve, krijimin e mbi 200 mijë vendeve të punës, punësimin me përparësi të të rinjve, mbështetje të fuqishme për bizneset dhe fermerët, integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Mirëpo, qytetarët votuan në shumicë projektin e kundërshtarit tonë, të bazuar në premtimet që ne nuk mund ti bënim si: shërbimet shëndetësore falas për të gjithë, heqjen e taksës së biznesit të vogël dhe TVSH-së për ushqimet dhe uljen e taksave për 95 përqind të qytetarëve. Këto premtime ne nuk mund t’i bënim, sepse ato bien ndesh me filozofinë dhe parimet që ne besojmë, bien ndesh me konkurrencën e ndershme, me lirinë ekonomike, me barazinë sociale. Me këtë rast, duke pranuar rezultatin e zgjedhjeve, i uroj kundërshtarit, fituesit të zgjedhjeve mbarësi në detyrën e tij të lartë dhe uroj që qytetarët shqiptarë të gëzojnë një jetë gjithnjë e më të mirë.

Miqtë e mi, në këtë fushatë ju keni punuar fort, me sakrifica dhe përkushtim të madh. Sikundër unë jam përpjekur me mish e shpirt të bëj më të mirën për fitoren tonë. Por kjo nuk ndodhi. Ne i humbëm këto zgjedhje dhe besomëni mua, se për këtë humbje e tërë përgjegjësia bie vetëm mbi një njeri, vetëm mbi mua, Sali Berishën.

Kështu që, duke marrë gjithë përgjegjësitë që vërtetë më takojnë, në një vendim të prerë, kam vendosur të jap dorëheqjen nga të gjitha funksionet e mia në forumet e Partisë Demokratike, të jem thjeshtë njëri prej jush, anëtar i i PD-së dhe deputet i saj, të punojë me përkushtim të madh së bashku me ju dhe lidershipin e ri, për të mbrojtur dhe promovuar si opozitë, vlerat dhe parimet themelore të programit tonë, për ta shndërruar atë përsëri në një program të shumicës së shqiptarëve. Ndaj dhe ju lutem të mos gaboni të merrni apo të konsideroni këtë fjalë si një fjalim lamtumire. I tillë ky nuk është. Madje nga unë, Partia Demokratike, anëtarët dhe mbështetësit e saj nuk do të dëgjojnë ndonjëherë fjalim lamtumire për faktin e thjeshtë, se ai do të ishte një fjalim të cilin unë s’do mund ta lexoja kurrë.

Të dashur demokrate dhe demokratë,
qytetare dhe qytetarë,
mbështetës të Partisë Demokratike,

Sot ju jeni mërzitur dhe ne vërtetë kemi humbur një betejë, por alternanca e pushtetit me votën e lirë është parimi themelor i demokracisë që ne çmojmë më shumë, parimi që ne sollëm në Shqipëri me themelimin e Partisë Demokratike. Alternanca është jetike për demokracinë.

Ndaj dhe sot, si pushtet moral i këtij vendi është e domosdoshme të qëndrojmë më të vendosur, më të bashkuar se kurrë, të vazhdojmë luftën. Detyra shumë të mëdha na presin për të ta shndërruar çështjen tonë të drejtë në çështje të shumicës së shqiptarëve. Gjithë jetën time politike edhe në këto momente të veçanta, jam ndjerë dhe ndjehem i frymëzuar edhe krenar me secilin prej jush, me Partinë Demokratike, forcën tonë politike që pata fatin e madh që ju të më besoni drejtimin e saj për 22 vjet.

Ne jemi e do të jemi krenarë, sepse së bashku, me kurajë, guxim dhe vendosmëri themeluam në kushtet e terrorit të egër komunist Partinë Demokratike si partinë e parë opozitare, si partinë e ëndrrave më të bukura të shqiptarëve, të vlerave dhe lirive themelore të njeriut dhe shoqërisë, interesit kombëtar dhe vokacionit perëndimor të kombit shqiptar.

Demokrate dhe demokratë,
mbështetës të Partisë Demokratike,
qytetarë shqiptarë,

Ne jemi dhe do mbetemi përjetë krenarë për gjithçka kemi bërë dhe do të vazhdojmë të bëjmë për lirinë dhe dinjitetin e qytetarëve shqiptarë.

Ne jemi dhe do të jemi krenarë, sepse bëmë realitet, bëmë të vërtetë ëndrrën më të bukur të njeriut – ëndrrën e lirisë për shqiptarët dhe dinjitetit të tyre njerëzor, sanksionuam, me ardhjen tonë në pushtet, me ligje kushtetuese, lirinë e mendimit dhe shprehjes së tij, lirinë e besimit dhe të gjitha liritë themelore të njeriut. Ne u kemi faktuar shqiptarëve se liritë dhe të drejtat njerëzore janë gjithnjë pasioni ynë, kryefjala e axhendës sonë. Sot shqiptarët janë më të lirë se kurrë më parë në fjalën e tyre, iniciativën e tyre, besimet e tyre fetare, lëvizjen e tyre.

Ne jemi dhe do mbetemi gjithnjë krenarë, sepse në javën e parë të themelimit tonë shpallëm botërisht se lira kombëtare e shqiptarëve në Kosovë dhe kudo që jetojnë do të ishte ylli ynë polar. Dhe në një kohë të shkurtër ne arritëm ta vendosim çështjen e lirisë së shqiptarëve në Kosovë në axhendën e kancelarive, samiteve, të organizatave më të fuqishme të botës dhe më pas ne, bazuar në parimin një komb një qëndrim, mbështetëm me të gjithë mundësitë tona luftën çlirimtare heroike të shqiptarëve në Kosovë dhe më vonë në Maqedoni.
Në këto vite ne mbështetëm fuqishëm pavarësinë dhe njohjet ndërkombëtare të Kosovës. Koha është tani për pavarësinë e Kosovës -do të shpallte në Tiranë, në qershor të vitit 2007, në vizitën e tij historike në Shqipëri, Presidenti i SHBA-ve Xhorxh W. Bush.

Të dashur demokrate dhe demokratë,
qytetare dhe qytetarë,
mbështetës të Partisë Demokratike,

Ne të gjithë së bashku duhet të jemi krenarë me PD. Sot ajo është e aderuar në EPP, EDU, CDIU, organizata politike të Qendrës së Djathtë më të mëdha në botë. Shqipërinë, vendin më të izoluar të planetit, e lidhëm në partneritet dhe miqësi me vendet dhe kombet më të mëdha, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vende të rajonit dhe vende në Evropës dhe botës. Partia Demokratike, si parti e vokacionit perëndimor të kombit shqiptar dhe ne të gjithë së bashku bëmë të vërtetë ëndrrën e shqiptarëve për anëtarësimin e vendit në KE, të nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Associimit në BE, të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, të lëvizjes së lirë pa viza të qytetarëve shqiptarë në Evropë dhe së fundi, të rekomandimit për statusin e vendit kandidat.

Ne sot, të gjithë themelues, anëtarë, militantë dhe mbështetës të Partisë Demokratike jemi dhe do mbetemi gjithnjë krenarë, sepse ne, në vendin e diktaturës dhe hiperkolektivizmit më të egër në Evropë, hodhëm themelet dhe konsoliduam në Shqipëri sistemin demokratik, bazuar në liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, shtetin ligjor, pronën private dhe ekonominë e lirë të tregut dhe falë reformave tona, bazuar në lirinë ekonomike, shqiptarët me iniciativën e tyre të lirë dhe solidaritetin ndërkombëtar bënë që në këto 21 vite, Shqipëria si asnjë vend tjetër, të rrisë me 11 herë Prodhimit të saj të Brendshëm.

Ne sot, të gjithë së bashku, duhet të ndjehemi krenarë me Partinë Demokratike, sepse ne pasi humbëm pushtetin për shkak të skemave piramidale në vitin ’97, ndërtuam opozitën e fuqishme shqiptare, qëndruam dhe rezistuam si opozitë e pamposhtur dhe në vitin 2005 përzumë nga pushteti me votën e shqiptarëve, në zgjedhje jo të lira e të ndershme, ata që erdhën me dhunë në pushtet.

Zonja dhe zotërinj,
demokrate dhe demokratë,
qytetare dhe qytetarë shqiptarë,
mbështetës të Partisë Demokratike,

Me rikthimin tonë në pushtet në vitin 2005 një ëndërr tjetër e madhe e mbarë shqiptarëve duhej të bëhej realitet dhe kjo ishte ëndrra e Shqipërisë së zhvilluar, Shqipërisë Evropiane. Por, kjo mjerisht duhet të startonte në një kohë kur shqiptarëve u mungonin për shumë e shumë orë në ditë dritat, uji, kur rrogat dhe pensionet e tyre ishin të ulëta, qesharake, kur fëmijët e tyre mësonin në shkolla të rrënuara dhe me 50 nxënës në klasa, kur udhëtonin në rrugët, ndofta më të shkatërruara të kësaj toke dhe kur çdo vit zhdukeshin vetëm në taksa dhe tatime mbi 1,4 miliard dollarë nga zyrtarët e korruptuar.

Detyra ishte shumë e vështirë. Shqipërisë pothuajse askush nuk i besonte. Por ne ishim burrat dhe gratë e guximit. Në këto dy mandate ne bëmë të vërtetë ëndrrën e shqiptarëve për të patur rrugë, drita, shkolla, ujë pothuajse afërsisht si vendet e zhvilluara. Ne ndërtuam rrugën e Kombit që bashkoi shqiptarët, ndërtuam rrugën Tiranë-Elbasan që bashkoi kryeqytetin me Elbasanin, ndërtuam gjysmën e rrugës së Arbrit, segmentin më të vështirë të Boshtit të Jugut dhe do ta ndërtojmë atë në mandatin e ardhshëm. Ne ndërtuam mbi 10 mijë kilometër rrugë nga jugu në veri, nga lindja në perëndim. Ne besojmë se aty ku jetojnë shqiptarë duhet të kenë rrugë dhe infrastrukturë modern dhe i sigurojmë ata se me mandatin tonë tjetër do ta bëjmë realitet këtë projekt.

Ne duhet të jemi krenarë sot me Partinë Demokratike, sepse për të bërë të vërtetë ëndrrën e Shqipërisë së zhvilluar të qytetarëve shqiptarë, ne ndërtuam në mbarë vendin qindra ujësjellës dhe sisteme kanalizimi, një seri sistemesh të pastrimit të ujërave të ndotura dhe natyrisht mbetet ende shumë punë për të bërë. Por, në mandatin tonë të ri ne do ta bëjmë Shqipërinë me infrastrukturë ujore më moderne që ekziston.
Shqipëria – vend i zhvilluar, për ne ishte dhe është para së gjithash Shqipëria e dijes. Për të arritur këtë objektiv ne mbi dyfishuam rrogat e mësuesve, ndërtuam dhe rindërtuam mbi 1300 shkolla fillore, nëntëvjeçare, të mesme, korpuse universitare. Ne sot, njëlloj si vendet e zhvilluara, kemi shtrirë internetin në çdo shkollë, nga vetëm 45 shkolla që kishin internet dhe nga vetëm 700 kompjuter që ishin shkollat tona pak vjet më parë, sot kanë mbi 24.500. Shqipëria ka arritur nivelin e vendeve të zhvilluara për studentë për 1000 banorë dhe përqindjen e nxënësve që ndjekin shkollat e mesme. Cilësia e sistemit tonë arsimor do të mbetet gjithnjë përparësi madhore e programit tonë.

Në përpjekjen tonë për shndërrimin në të vërtetë të ëndrrës së Shqipërisë së zhvilluar të qytetarëve shqiptarë, ne duhet të jemi krenarë, sepse sot, disa nga treguesit e zhvillimit njerëzor të shqiptarëve si: vdekshmëria foshnjore, ajo amtare dhe e përgjithshme, janë në nivelin e disa vendeve të zhvilluara dhe shumë të zhvilluara. Po kështu, qytetarët tanë në jetëgjatësinë nga lindja, por dhe në shtëpi banimi për 1000 banorë, jetojnë më gjatë dhe strehohen më mirë se sa qytetarët e disa vendeve të zhvilluara. Në këto pak vite, ne kemi ndërtuar mbi 400 qendra shëndetësore dhe spitale moderne, reforma e plotë e sistemit shëndetësor ishte drejt përfundimit. Në mandatin e ardhshëm do ta përfundojmë atë.

Demokrate dhe demokratë,
qytetare dhe qytetarë shqiptarë,
mbështetës Partinë Demokratike,

Këto vite të qeverisjes sonë ishin vitet e krizës më të thellë për ekonomitë e vendeve evropiane dhe ato të rajonit tonë. Mendoj se, të gjithë së bashku, duhet të jemi dhe mbetemi krenarë, sepse ekonomia shqiptare është nga më të paktat në Evropë, e cila falë reformave tona të bazuara në lirinë ekonomike, i rezistoi krizës, mbajti rritjen ekonomike dhe vazhdoi edhe vitin që kaloi të krijojë dhjetëra mijëra vende të reja pune. Ne ia dolëm me taksën e sheshtë dhe reforma të tjera të thella në këto pak vite që Shqipërinë, e cila para vitit 2005 kishte marrë mesatarisht vetëm 38 milion dollarë në vit investime të huaja, ta rendisim mbi nivelin e disa vendeve të zhvilluara për lirinë fiskale, të bëjmë që të jetë i vetmi vend në rajon në të cilin eksportet të trefishohen dhe të renditet e 18-ta për thithjen e investimeve të huaja. Në katër vitet e fundit ajo mori mbi 4,2 miliard dollarë dhe papunësia edhe vitin e kaluar u ul nga 13,2 në 12,8%.

Në përpjekjen tonë për realizimin e ëndrrës së shqiptarëve për Shqipërinë vend i zhvilluar, ne vendosëm energjinë në epiqendër të këtij projekti të madh. Sot në Shqipëri janë ndërtuar apo janë në ndërtim e sipër mbi 130 HEC-e, ndër të cilat Kaskada e Devollit që po ndërtohet nga Shtatkraft e Norvegjisë, numri një në botë për ndërtimin e HEC-eve. Këto ditë Konsorciumi i Shah Denis 2 vendosi për TAP-in. Ne kemi bërë gjithçka, kemi lobuar fuqishëm, kemi përmbushur çdo detyrim që rrjedh në kërkesat e marrëveshjet me konsorciumin dhe palët e tjera, vendet partnere dhe mike për të favorizuar vendimin në favor të tij. Dhe unë sot njoftoj shqiptarët se TAP-i fitoi.

Duke shprehur mirënjohjen më të thellë, qeverisë së Azerbajxhanit dhe Konsorciumit të Shah Deniz 2, theksoj për të gjithë shqiptarët, por për ju demokratet dhe demokratët se kjo është një arritje historike e jona. Me përfundimin e TAP në 4-5 vitet që vijnë, Shqipëria zgjidh në mënyrë përfundimtare problemet e energjisë.
Shqipëria vend i zhvilluar është një ëndërr e mrekullueshme që do bëhet e vërtet edhe me zhvillimin e Shqipërisë rurale. Ne së bashku duhet të ndjehemi krenarë sepse, në një hark kohor të shkurtër, ne ndërtuam në Shqipërinë rurale mbi 8 mijë km rrugë, mbi 1000 shkolla, qindra ujësjellës e kanalizime, sisteme kullimi e vaditje. Me 45 mijë projekte që mbështetëm, me projektet kombëtare të ullirit dhe arroreve edhe projektet e tjera, ne kemi bërë të mundur të katërfishohet toka e punuar në fshatin shqiptar dhe të mbillen miliona e miliona ullinj e dru të tjerë frutorë.

Shqipëria – kopshti i Evropës Juglindore është dhe do të mbetet projekti ynë.

Ne duhet të jemi krenarë se, Shqipëria – e bukura e dheut, që pak vite më pare nuk ekzistonte në hartën turistike të rajonit dhe botës, renditet sot në 10 vendet me rritjen më të shpejtë të turizmit në planetin tonë.
Me projektin tonë Shqipëria – vend i zhvilluar, ju duhet të jeni krenarë se ne ia dolëm në një hark kohor të shkurtër, që vendi me penetrimin ndër më të ultët në botë të internetit, vetëm 4,8% dhe telefonisë celulare me vetëm 38%, të ketë sot përdorimin e internetit mbi 60% dhe të telefonisë celulare 186% edhe me çmime 3-5 më të ulëta. Shqipëria dixhitale ishte ëndrra e të rinjve shqiptarë. Sot ata komunikojnë në Facebook më shumë se të rinjtë e disa vendeve të zhvilluara.

Demokrate dhe demokratë,
Qytetare dhe qytetarë shqiptarë,
mbështetës të Partisë Demokratike,

Vitin që kaloi ne patëm fatin e madh të qeverisim Shqipërinë në 100-vjetorin e lindjes saj. Ne duhet të ndjehemi krenarë se me të gjithë shqiptarët nga Shqipëria, trojet e tyre etnike dhe mbarë bota, si dhe me miqtë tanë në të katër anët e planetit, festuam në mënyrën më dinjitoze, më të bukur, ditëlindjen e dheut tonë dhe bëmë që historia e falsifikuar dhe e ndaluar e shqiptarëve të dalë në dritë edhe të bëhet pjesë e pandarë e krenarisë sonë kombëtare.

Miqtë e mi,
demokrate e demokratë,
qytetarë shqiptarë,
mbështetës të PD,

Vetëm pak vite më parë, ora evropiane dhe euroatlantike e Shqipërisë ishte pothuaj e ndaluar. Ne sot dhe gjithnjë duhet të jemi krenarë se, së bashku ndërmorëm reformat më të thella e më të gjithanshme, konsoliduam shtetin ligjor, zhvilluam zgjedhje të lira dhe të ndershme, firmosëm dhe zbatuam Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, anëtarësuam Shqipërinë në NATO, merituam dhe arritëm heqjen e vizave me BE, merituam rekomandimin për statusin e vendit kandidat, nisëm punën serioze për liberalizimin e vizave me SHBA-në. Ne jemi, kemi qenë dhe mbetemi garant të shndërrimit në realitet të ëndrrës evropiane dhe euroatlantike të shqiptarëve.

Pra, edhe në këto dy mandate, ne kemi folur me vepra të cilat kanë krijuar një Shqipëri tjetër, ndërtimin e të cilës ne do jemi të gatshëm në çdo kohë ta vazhdojmë. Ato janë vepra që kanë ndryshuar përgjithmonë historinë, por edhe gjeografinë e Shqipërisë, janë dhe mbeten përjetë monumente të shqiptarëve të lirë.
Natyrisht, nuk janë arritjet tona ato për të cilat më 23 qershor nuk na votuan në mazhorancë shqiptarët. Jo, sepse këto arritje për çdo shqiptar, unë jam i sigurt, janë arritje e veçantë. Partia Demokratike si parti e fillimeve të reja dhe ndryshimeve të mëdha do të lexojë me mençuri, me guxim e përulësi mësimin e sovranit në këto zgjedhje. Ajo, përveç trashëgimisë së saj që bën krenar çdo shqiptar, ka në gjirin e saj potenciale dhe vlera njerëzore të pakrahasueshme, ka projekte dhe ide, vlerat dhe parimet e drejta që mbron dhe që do të dijë ndën lidershipin e ri, me një fillim të ri të fuqishëm, të shndërrohet dora –dorës në mazhorancë morale e pastaj zyrtare të vendit tonë.

Para se ta mbyll, dua t’u shpreh falënderimet e mia më të përzemërta dhe mirënjohjen më të madhe bashkëpunëtorëve të mi që unë kam pasur në të gjitha detyrat e mia këta 22 vite. Ata janë djem dhe vajza, gra dhe burra të mrekullueshëm, të përgatitur, dinjitozë, kompetentë, të përkushtuar, vetëmohues, me integritet të lartë njerëzor dhe profesional. Bashkëpunimi i shkëlqyer me ta ka qenë dhe do të jetë gjithnjë frymëzues për mua. Dua të shpreh mirënjohje të pakufishme miqve tanë në EPP, Presidentit Martens dhe Kryetarëve të partive simotra në këto organizata për mbështetjen dhe bashkëpunimin e çmuar më Partinë Demokratike.
Një mirënjohje të pakufishme miliona e miliona shqiptarëve që këto 22 vite kanë vendosur votën, besimin e tyre mbi mua. Dhe unë çfarëdo që të bëj nuk mund të shpërblej malin e besimit të tyre, veçse i garantoj se do të vazhdoj të bëj gjithçka në mbështetje të interesave dhe aspiratave të tyre fisnike.

Gjatë këtyre kohëve, kam marrë dhjetëra mijëra mesazhe në Facebook, sms, në ëhatsapp, nga miq dhe mbështetësit e mi, të cilët më kërkojnë kësaj radhe një gjë që për fatin më të keq e kam të pamundur të heq dorë nga vendimi që unë kam marrë. Por i ftoj të gjithë ata që sëbashku me energji, entuziazëm, vetëmohim dhe përkushtim të vazhdojmë të mbrojmë kauzën tonë, ta bëjmë atë kauzë të zemrave dhe mendjeve të shqiptarëve.

Zonja dhe zotërinj,

Arritjet e Shqipërisë nën qeverisjen e Partisë Demokratike do kishin qenë të pamundura pa solidaritetin e jashtëzakonshëm ndërkombëtar të kombeve mike dhe institucioneve ndërkombëtare. Ndaj dhe jam sot këtu për tu shprehur atyre mirënjohjen më të thellë për këtë solidaritet të jashtëzakonshëm që u kanë dëshmuar shqiptarëve. Të shpreh në mënyrë të veçantë mirënjohjen time të pakufishme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleatit më të madh të lirisë së kombit shqiptar.

Do ta mbyll me një mirënjohje të përhershme për Lilin dhe gjithë familjen time, për mbështetjen e tyre të jashtëzakonshme ndaj meje.

Së fundi, unë, në përputhje me Kushtetutën e vendit deri në muajin shtator do të vazhdojë të punojë me përkushtim të madh në projektin e Shqipërisë së zhvilluar dhe në përputhje me Statutin e Partisë, do të qëndrojë në timonin e saj për të organizuar zgjedhjen nga anëtarësia e Partisë Demokratike, të lidershipit të ri, të cilin do ta mbështesim të gjithë së bashku dhe të ecim në udhëheqjen e tij drejt fitores së betejës me të afërt që na pret.

Përpara!

Zoti e bekoftë Partinë Demokratike, anëtarësinë, mbështetësit e saj!

Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo që janë!

Faleminderit!”