Lajme Shqip Thursday, 29 October 2015 16:53

Presidenti i Austrisë, Heinz Fischer, gjatë adresimit para deputetëve të Kuvendit të Kosovës ka ftuar spektrin politik në vend që të kenë një pluralizëm të gjallë dhe të cilat pranohen dhe janë oferta të ndryshme për qytetarët e vendit.

Në këtë seancë mori pjesë edhe opozita, por nuk ndejti duarkryq. Ata shpalosën dy pankarta, në të cilat shkruante, “Ndal mohimit të hegjemonizmit serb” dhe “Ruajeni shpinën, zotëri President. Gënjeshtarët e korruptuar janë të prapa teje”.

Ai tha se duke qenë për pjesë e Parlamentit të Austrisë për 33 vjet, është mësuar që ta vlerësoj pluralizmin dhe kjo është gjithherë një pjesë e demokracisë të një vendi.

Presidenti austriak theksoi se kur Parlamenti funksionon dhe punon mirë, atëherë funksionon edhe demokracia në një vend, por kur ka kriza në Parlament dhe vështirësi, atëherë edhe demokracia nuk është se nuk preket nga kjo.

“Me një fjalë, apeloj tek ju një pluralizëm të gjallë të partive politike, të cilat pranohen dhe të cilat i ofrojnë ofertë të ndryshme qytetarëve, dhe të cilët për çështje themelore, siç është respektimi i Kushtetutës dhe shtetit të së drejtës dhe çështjeve dhe interesave të politikës së jashtme, për këto çështje të kenë të gjithë të përbashkët. Asnjë sistem politik nuk është perfekt, nuk ka demokraci perfekte, vetëm në utopi mund ta gjejmë këtë, mirëpo demokracia bëhet nga njerëzit dhe meqë, njerëzit nuk janë perfekt, atëherë edhe demokracia nuk mund të jetë perfektë. Mirëpo, demokracinë mund ta zhvillojmë dhe të kujdesemi për të”, tha Fischer.

Presidenti austriak ka shpjeguar se si historia e Austrisë është e karakterizuar se në 20 vjet pas përfundimit të monarkisë, prej vitit 1918 deri 1930, pluralizmi ishte jashtëzakonisht i tensionuar.

Ai tha se tensionet në mes të djathtëve dhe majtëve, konservatorëve dhe socialistëve ishin gjithherë më të ashpra dhe më agresive, çka në vitin 1934 kishin një luftë qytetare.

Presidenti Heinz Fischer, ka folur edhe për bashkëpunimin mes dy vendeve, Austrisë dhe Kosovës, duke thënë se vendi i tij e kishte të qartë pozicionimin karshi vendeve të Ballkanit perëndimor.

“Unë jam shumë i kënaqur për zhvillimet e theksuara në këtë raport. Edhe këtu vlen fjalia: çdo gjë çka është e mirë mund të bëhet edhe më mirë, dhe çdo gjë çka është më e mirë, gjithherë mund të përmirësohet ende. Mirëpo, kur mendoj se sa është e vështirë për Kosovën apo ishte për Kosovën që në fillim të shtetndërtimit me vështirësitë me të cilat është ballafaquar dhe se si për shtetet e ndryshme evropiane nuk ishte e qartë dhe e thjeshtë se si të pozicionohen karshi Kosovës, mund të them se për politikën austriake ishte e qartë në raport që të ketë një qëndrim pozitiv karshi shteteve të Ballkanit Perëndimor, pra për të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor”, shtoi Fischer.

Fischer bëri me dije se marrëveshjet që arrihen në fillim të këtij vitit, duhet të realizohen në mënyrë paqësore, ashtu siç janë parashikuar.

“Ne si Austri jemi të angazhuar që marrëveshjet të cilat arrihen në fillim të këtij viti, që miku im Ahtisari nga Finlanda ka qenë aktiv në shtetndërtimin tuaj dhe këto marrëveshje të realizohen në mënyrë paqësore dhe të bëhen ashtu siç janë parashikuar. Ne do të mundohemi që edhe në vitet e ardhshme të kemi marrëdhënie të mëtejshme, t’i thellojmë dhe intensifikojmë bashkëpunimin ekonomik dhe kjo është një çështje për politikën e jashtme thelbësore si rrugë për të qenë pjesë e BE-së dhe integrimit të saj në UE. Pra, është i kuptim plotë se integrimi në Evropë nuk është asgjë tjetër veç se një mësim nga historia”, tha ai.

Fischer ka vazhduar me shpjegimin se si vendi i tij, u ndërtuar pas vitit 1945, dhe si në vitin 1966 në pushtet ishte vetëm një parti, Partia Konservatore, e cila kishte shumicën absolute dhe ku të gjithë kishin frikë se nëse tani një parti qeverisë vetëm, çfarë do të ndodhte.

Por, sipas tij, bazuar në bashkëpunimin në mes vitit 1945 dhe 1969 është arritur që të funksionojë sistemi edhe nëse është vetëm një parti në Qeveri.

Fischer tha se parakushti për të funksionuar kjo ishte, se është pranuar edhe opozita si një anëtar me të drejta të plota në procedurat politike, si një pjesëmarrës me të drejta të plota në sistemin e pluralizmit.

“Unë mendoj se demokracisë i bëjmë një shërbim të mirë, kur një vend ka një bazë ekonomike dhe stabile. Kur kemi tensione të mëdha sociale, kur dallimi në mes të varfërve dhe të pasurve është shumë i madh, atëherë natyrisht se mund të ketë më shumë tensione politike dhe të gjitha këto duhet t’i kemi parasysh në aspektin e demokracisë”, theksoi ai.

Presidenti i Austrisë dje u prit me ceremoni shtetërore nga presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, me të cilën zhvilloi një takim të gjatë.

Po ashtu dje Fischer është pritur edhe nga kryetari i Kuvendit Kadri Veseli. Ndërsa, sot ishte dita e dytë e vizitës së tij zyrtare në Kosovës.