Lajme Shqip Friday, 23 October 2015 11:27

 

Shoqëria Civile filloi sot një marsh paqësor për të kërkuar qetësim të situatës politike në vend, duke kërkuar të mos ketë dhunë në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës. Në fakt, shoqëria civile kërkoi që të shtyhet seanca e sotme për t’i dhënë kohë presidentes Jahjaga të dialogojë me opozitën dhe të gjendet zgjidhje.

Në këtë marsh të gjithë protestuesit po mbajnë çadra të bardha, duke simbolizuar kështu paqe dhe qetësi.

Të pranishëm në marsh janë Flaka Surroi, përfaqësues të KDI-së, Halil Matoshi, Arbana Xharra etj.

Ismet Kryeziu nga KDI tha se kanë dalë të marshojnë në mënyrë paqësore për të kërkuar që seanca të shtyhet për një tjetër ditë dhe presidentja Atifete Jahjaga të lejohet të dialogojë me opozitën për të gjetur zgjidhje.