Lajme Shqip Wednesday, 21 October 2015 09:49

Të ftohtit ka mbërthyer trupat e tyre. Shpresa se do të kenë një shtëpi para dimrit po iu shuhet për çdo ditë e nuk po i “ngroh” më. Shtëpinë e re nuk po e shohin më as në ëndërr. Realiteti ku hasën në përbuzje dhe mospërkrahje ua ka shuar të vetmen ëndërr për të ardhmen – të kenë një shtëpi sa për të futur kokën.

Katër anëtarë të familjes Dautaj, në Carrabreg të Deçanit, kanë kaluar natën nën tendë, e cila është treguar e pafuqishme t’i mbrojë nga shiu dhe era e madhe që në mbrëmjen e së hënës mbretëroi në këtë rajon.

Të martën, shiu vërehet se ka lënë gjurmë në rrobat dhe gjësendet e pakta të tyre që janë vendosur në këtë tendë, shkruan ‘Zëri’.

Prej katër muajsh kjo familje po jeton në qiell të hapur, pa shtëpi e pa mbështetje institucionale. Ish-ushtari i UÇK-së, Dakë Dautaj, po përjeton dështimin e shtetit për të cilin luftoi.

Dhjetëra ankesa të tij drejtuar Kuvendit Komunal të Deçanit nuk kanë marrë asnjëherë përgjigje pozitive. I papunë, me vetëm një ndihmë sociale prej 80 eurosh, ai u vendos në truallin e paraparë për shtëpi, por që nuk pati mundësi ta ndërtojë asnjëherë pasluftës. Këtë herë vendosi t’i “shpallë luftë” fatit, të rrojë nën mëshirën e tij.