Lajme Shqip Tuesday, 27 March 2012 12:44

Tiranë – Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, tha sot se procesi i hartimit të Kodit Zgjedhor “është proces jo transparent dhe që synon në mënyrë të padiskutueshme një monopol të jetës politike jo për shkak të votës së qytetarëve, por për shkak të formulave tërësisht të shtrembëra që futen në këtë Kod për t’i marrë deputetët partive të ndryshme dhe për t’ia dhënë partive të mëdha”.

Në një prononcim për mediat, Mediu ka kërkuar të “ndryshojnë formulat që nuk kanë të bëjnë me sistemin”.

“Kemi kërkuar një sistem administrimi zgjedhor që nuk varet nga dy partitë politike, sepse nëse do kemi formula të cilat manipulojnë votën e qytetarëve, deformojnë përfaqësimin e tyre në Kuvendin e Shqipërisë, më tej do kemi kontroll të medias vetëm nga dy parti, të gjitha financat do shkojnë vetëm në drejtim të dy  partive, administrimi i procesit zgjedhore vetëm nga dy parti, unë nuk mund ta quaj këtë garë që i shërben procesit elektoral në Shqipëri”, tha Mediu. 

Lidhur me diskutimet për Kodin, Mediu tha se “janë diskutime që bëhen thjesht në aspektin teknik duke lënë mënjanë një element shumë të rëndësishëm që është pikërisht barazia e votës së qytetarëve dhe përfaqësimi i tyre i drejtë  në Kuvendin e Shqipërisë”. Ndërkohë që shprehu besimin se “ka akoma kohë për të reflektuar”.