Lajme Shqip Thursday, 11 April 2013 18:32

Prishtinë – Familjarët e personave të pagjetur kanë shprehur edhe një herë shqetësimin e tyre për fatin e më të dashurve, të zhdukur para 14 vitesh. Në prag të ditës kombëtare të të zhdukurve më 27 Prill, Bajram Çerkini, përfaqësues i familjarëve të personave të zhdukur ka kritikuar zyrtarë të institucioneve se brengat e tyre po neglizhohen vite me radhë, transmeton KTV.

“Ne e dimë se edhe bashkësia ndërkombëtare nuk po bënë punë sa duhet por jemi të indinjuar me zyrtarët vendorë të cilët thjeshtë po flenë dhe nuk po kryejnë punën e tyre. Është shumë për t’u shqetësuar fakti që derisa bëhen gërmime në një lokacion në veri të Mitrovicës nga EULEX-i dhe zyrtarë të mjekësisë ligjore nuk merr pjesë asnjë anëtar i komisionit nga Kosova e asnjë patolog për vlerësime, por ato kryhen në prezencë të komisionit të ardhur nga Beogradi”, ka thënë Çerkini.

Ndërkaq kryetari i komisionit qeveritar për të zhdukurit Prenk Gjetaj ka thënë se bashkëndjejnë shqetësimin me familjarët. Ai ka thënë të jetë në dijeni për gërmimet që janë bërë në veri të Mitrovicës ku janë gjetur shtatë trupa të cilët presin të identifikohen. “Numri i madh i të zhdukurve na obligon të punojmë edhe më tutje në këtë drejtim ndërsa i mbështesim edhe familjarët të cilët mund të na ndihmojnë në drejtim të zbardhjes së fatit të tyre”, ka thënë Gjetaj. Ai ka treguar se do të kërkohet shqyrtim të punës së mjekësisë ligjore pasi janë verifikuar 19 trupa te të cilët është bërë gabim në identifikim. (LajmeShqip.com)