Lajme Shqip Wednesday, 26 June 2013 13:32

Tiranë – Pas heshtjes së gjatë nga selia e Partisë Demokratike, Nënkryetarja e kësaj partie, Jozefina Topalli ka thyer akullin.

Me anë të një statusi të publikuar në rrjetin social, Facebook Topalli ka falënderuar të gjithë mbështetësit e PD, por nuk ka përmendur humbjen, shkruan TCH. 

“Falënderim dhe mirënjohje për çdo militant, anëtar, simpatizantë e votues të Partisë Demokratike. Falënderim dhe mirënjohje për mundin, përkushtimin dhe përgjegjshmërinë absolute me të cilën mbrojtët alternativën dhe votën tonë”, shkruan nënkryetarja e PD-së Jozefina Topalli.

Ndërkaq edhe deputetja e qarkut të Fieri, Mesila Doda me anë të një mesazhi në Facebook, i ka bërë thirrje mbështetësve të PD për reflektim, duke e cilësuar këtë si momentin më të vështirë që pas vitit 1997.

 

Berisha s’është aktiv si më parë

 

Ndërkohë Berisha duket se ka braktisur rrjetin social Facebook ku ai ishte tejet aktiv që prej hapjes së faqes zyrtare.

Shënimi i fundit i Berishës është ai i datës 23 që thotë “Fitoreeeeeeeee! Nr. 44 ju pret të gjithëve! Nr. 44 pret çdo vote! Përpara drejt fitores! Sb”. Faqja është i mbushur me komente nga mijëra vetë, shumica përkrahës të PD-së, por ka edhe nga ata që shprehin kënaqësinë për humbjen e thellë.