Lajme Shqip Friday, 21 June 2013 08:54

Bruksel – Eurodeputetja Tanja Fajon prêt nga zgjedhjet e 23 qershorit në Shqipëri, maturi politike.

“Ne presim shumë nga Shqipëria këtë radhë. Presim që zgjedhjet të jenë të lira dhe të ndershme. Shpresojmë që Shqipëria të provojë pjekurinë e saj. Është koha tashmë për politikanët dhe qytetarët që të veprojnë me përgjegjësi, për të bërë të mundur avancimin e vendit drejt BE-së”, tha Fajon në një intervistë për “ABC News”.

Ajo tha se delegacioni i Parlamentit Europian do të jetë prezent për zgjedhjet dhe do të ndjekë me shumë vëmendje proçesin dhe shpreson që politkanët shqipëtarë do të tregojnë pjekuri pas zgjedhjeve për njohjen e rezultatit. 

“Nëse zgjedhjet do të kontestohen nga një palë ose tjetra, kjo ka të bëjë me pjekurinë politike. Herën e fundit, ne kemi vërejtur shumë vështirësi që u shfaqën me bojkotin e parlamentit, mosfunksionimin e duhur të institucioneve”.

Kjo, shtoi Fajon, është jashtëzakonisht e rëndësishme , e parë edhe në kontekstin e krizës ekonomike dhe financiare, ku besimi i qytetarëve te politika në të gjithë Europën është jashtëzakonisht i ulët. Ndaj është koha që Shqipëria të performojë mirë me zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe të tregojë pjekuri.