Lajme Shqip Tuesday, 14 June 2011 11:38

Prishtinë – Paneli për Shqyrtimin  e Shkeljes së të Drejtave të Djeriut brenda misionit  të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, ka hedhur poshtë si të papapranueshme 4 ankesa të bëra në adresë të tij.

Pa dhënë sqarime nëse ankesat janë të bazuara apo jo, Paneli për Shqyrtimin e Shkeljes së të drejtave të njeriut i EULEX-it, i ka hedhur poshtë pretendimet për shkelje në 4 raste.

Sipas përgjigjeve të dhëna nga zyra e këtij  paneli, kjo zyrë e BE-së nuk ka kompetencë për t’i trajtuar rastet që nuk kanë të bëjnë me veprimet e misionit.

Ankesa e parë që është refuzuar i përket palës mbrojtëse të të 12 të dënuarve në të ashtuquajturin Rasti Hajra. Në këtë rast paneli ka argumentuar se nuk ka kompetencë për t’i ndryshuar vendimet që vijnë nga gjykatat e Kosovës.

Njëjtë është vepruar edhe me dy raste të tjera të ankesës për shkëputje të paligjshme të kontratave të punës të dy punëtorëve të arsimit, për të cilat gjykatat e Kosovës kishin vendosur në disfavor të palëve.

Ndërsa, në rastin e katërt, që lidhet me largimin nga puna për mashtrim të një pjesëtari serb që punonte si staf i sigurimit të shefit të EULEX-it, paneli ka vendosur se nuk ka mandat për të trajtuar çështjet që iu përkasin masave të  brendshme disiplinore të EULEX-it.

Aktualisht në  pritje për shqyrtim nga ky panel janë 25 ankesa ku pretendohet se ka shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.