Lajme Shqip Friday, 06 July 2012 16:52

Prishtinë-Listës së gjatë të zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë që kanë dosje në prokurori për korrupsion i janë shtuar edhe të tjerë. Prokuroria tashmë ngarkon ish kreun  kësaj ministrie dhe zëvendëskryeministrin aktual Bukoshi për shpërdorim të detyrës zyrtare në kontrata milionëshe.  Zëdhënësja e EULEX-it Bardha Azari tha se Bukoshi dhe të tjerët ngarkohen me të paktën 11 vepra penale.

“ Një prokuror i EULEX-it ka ngritur aktakuzë ndaj zëvendëskryeministrit Bujar Bukoshi, ish sekretarit permanent të  kësaj ministrie Ilir Tolaj  dhe nëntë të tjerëve.  Në mesin e  akuzave  me të cilat ata ngarkohen janë keqpërdorim i detyrës zyrtare, lajmërim i rremë,  keqpërdorim të autorizimeve ekonomike , kontrata të dëmshme për ministrinë,  evazion fiskal dhe mitmarrje”-tha Azari.

Avokati i Bukoshit, Destan Rukiqi  megjithëse  ka thënë  se nuk e  ka marrë aktakuzën ai ka këmbëngulur se klienti i tij është i pafajshëm. Përfshirja e Bukoshit në ndërmarrjen e përbashkët abuzuese lidhet  me shkëputjen e një kontrate për barna të kompanisë “Jona med”, pronë e Hashim Deshishkut deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Aktakuza  përmend  edhe 5 raste të kontratave të tjera. (LajmeShqip.com)