Lajme Shqip Wednesday, 05 February 2014 11:12

Prishtinë – Burime brenda Policisë së Kosovës bëjnë të ditur se Policia e Uleksit përveç Ukë Rugovës, ka arrestuar edhe shtatë persona të tjerë, që lidhen me rastin krim i organizuar. 

Policia e Kosovës, e cila thotë se tani s’ka qasje fare në këtë aksion, po ashtu thotë se bëhet fjalë për shitblerje vizash. Pohohet se njëri nga të arrestuarit është zyrtar i Ambasadës italiane në Prishtinë, F.P.. Koha. net ka edhe emrin e një të arrestuari tjetër, I.B. nga Mitrovica, një shok i Ukës.

Arrestohet Ukë Rugova, dyshohet për krim të organizuar

Prishtinë – Nga vendi i ngjarjes, gazetari i ‘Kohës Ditore’ njofton se Ukë Rugova është i arrestuar dhe se ende ndodhet në ambientet e shtëpisë së tij, në Velani, lagje të Prishtinës. 

Bëhet e ditur se ka edhe të dyshuar të tjerë në lidhje me këtë rast, të cilët pritet që gjatë ditës të arrestohen.

Më herët, një prokuror i EULEX-it ka dhënë urdhër për arrestimin e Ukë Rugovës. Njoftimin e ka konfirmuar avokati i tij, Bajram Tmava. Ai i tha Koha. net se kërkesa e prokurorit është që Uka të ndalet për 48 orë. Avokati Tmava tha se EULEX-i dyshon djalin e ish-presidentit ë Kosovës, Ukën, për krim të organizuar e shpërdorim të detyrës zyrtare. 

Avokati Tmava po ashtu tha se ka qenë i pranishëm gjatë bastisjes me kërkesën e të dyshuarit, Ukë Rugova. Ai nuk ka dhënë hollësi se për çfarë krimesh bëhet fjalë, por ka thënë se do të jetë avokati i tij.

EULEX-i bastis shtëpinë e Rugovës në Velani 

Prishtinë – Njësia speciale e EULEX-it, herët në mëngjesin e së mërkurës ka hyrë në shtëpinë e ish-Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. Tetë vetura të misionit të BE-së për sundim të ligjit janë parë të parkuara para shtëpisë në lagjen Velania, ndërsa forca të shumta të kësaj njësie, të maskuara po bastisin aty. 

“Koha.net” nuk ka mundur të kontaktojë me EULEX-in për të kuptuar arsyet e kësaj bastisjeje. Jo zyrtarisht mësohet se i dyshuar për krime ekonomike është djali i ish-Presidentit, Ukë Rugova. 

Ky i fundit është aktualisht deputet i Kuvendit të Kosovës. /Koha/