Lajme Shqip Thursday, 10 January 2013 14:23

TIRANE-Enti Rregullator i Energjisë (ERE) ka miratuar sot rregulloren për një administrator të ri shtetëror për CEZ. Administratori shtetëror do drejtojë CEZ deri në ardhjen e një kompanie të re.

ERE, në mbledhjen e Bordit të Komsionerëve ditën e sotme njoftoi se e miratoi rregulloren “Mbi procedurat e emërimit të administratorit dhe kompetencat e tij”.

“Heqja e licencës çekëve dhe largimi i njoftuar i CEZ Shpërndarjes e detyron Entin Rregullator të Energjisë që në bazë të ligjit “Për sektorin e energjisë”, të bëjë gati terrenin për mënyrën se si do të menaxhohet shpërndarja e energjisë në vijim. Në këto kushte duket se shumë shpejt do të kemi një administrator të ri që do të kryejë funksionin e përkohshëm për shpërndarjen e energjisë”, kështu u shpreh ERE sot gjatë një mbledhjeje që u karakterizua nga diskutime.

Pritet që më 21 janar do të zgjidhet individi që do jetë administratorin e ri shtetëror i CEZ Shpërndarje.

Ligji “Për sektorin e energjisë elektrike” përcakton se në rastin kur i hiqet licenca një operatori zgjidhja vijuese ka disa alternativa. E para është që ta lejojë të licencuarin të vazhdojë t’i përdorë këto pajisje dhe asete sipas kushteve dhe afateve të caktuara; e dyta, të kontraktojë me një ose me më shumë shoqëri private, që mund të ndërmarrin vazhdimin e këtij shërbimi, ose e treta, që duket se është dhe varianti i zgjedhur për t’u zbatuar, është të emërojë një administrator që të mbikëqyrë ose të operojë pajisjet dhe pasuritë, sipas licencës.

CEZ tashmë ka njoftuar largimin e saj nga Shqipëria, si dhe pretendimin për garancinë 60 milionë euro nga Banka Botërore, ndërkohë që ERE është në procesin e heqjes së licencës dhe pritet që shumë shpejt të dalë dhe raporti që paracakton vendimin final. (LajmeShqip.com)