Lajme Shqip Wednesday, 06 March 2013 14:37

Prishtinë – Sot, në kuadër të manifestimit “Epopeja e UÇK-së”,  po bëhen homazhe te varrezat e Jasharëve në Prekaz. Atje kanë qëndruar presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi, kreu i Kuvendit, Jakup Kransiqi, e zyrtarë të tjerë shtetërorë, si dhe ish-ushtarë të UÇK-së dhe qytetarë të shumtë. Një ditë më parë në Prekaz bënë homazhe homazhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinja dhe ai i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga anëtarë të kabinetit qeveritar, ka bërë sot homazhe në kompleksin memorial Adem Jashari, me rastin e shënimit të përvjetorit të “Epopesë së UÇK-së” në Prekaz.

Me këtë rast, kryeministri Thaçi ka thënë se rënia e komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari ka bashkuar gjithë shqiptarët.

“Çdo rënie është e dhimbshme, por kjo rënie ka qenë ajo që e ka bashkuar popullin e Kosovës. Kjo rënie ka qenë ajo që ka ngritur në këmbë gjithë shqiptarët kudo që jetonin; që i ka bashkuar rreth idealit për çlirimin e Kosovës; për ndërtimin e Kosovës së pavarur dhe sovrane” ka thënë kryeministri Thaçi.

Shteti i Kosovës, theksoi kryeministri, po nderon  gjithë dëshmorët e lirisë por edhe sakrificën e qytetarëve të Kosovës për liri.

“Sot jemi në rrugë të sigurt, duke respektuar gjithmonë të kaluarën, duke marrë gjithmonë parasysh vizionin euroatlantik për të ardhmen e Republikës së Kosovës, vullnetin e qytetarëve të vendit, jemi duke konsoliduar dhe forcuar shtetin tonë. Ne kemi rreth 100 njohje ndërkombëtare dhe jemi në rrugë të sigurt për të qenë pjesë e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Unë kam besim të plotë se kështu të bashkuar si qytetarë, si politikë, do të lëvizim shpejt, sigurt drejt të ardhmes së Kosovës së re, Kosovës demokratike, Kosovës evropiane, të zhvilluar dhe me një mirëqenie sociale të qytetarëve të saj” ka shtuar kryeministri Thaçi.(LajmeShqip.com)