Lajme Shqip Wednesday, 08 June 2011 19:12

Tiranë – Azis Kelmendi, biznsmeni kosovar që akuzohet për vrasjen e këngëtares Emmy, ka kërkuar nga gjykata gjykim të shkurtuar. Pranimi i kërkesës për gjykim të shkurtuar do të thotë që biznesmeni kosovar ka të drejtë të përfitojë ulje të një të tretës së masës së dënimit që do të firmosë gjykata në përfundim të procesit gjyqësor.

Ndërkaq, po sot, trupi gjykues i kryesuar nga Arben Micko pranoi dhe kërkesën e familjarëve të këngëtares që të bëhet palë në proces.

Të afëmit e Emmyt pretendojnë se vrasja e ndodhur më 27 shkurt të 2011, jashtë pubit “Venue”, në Tiranë, dhe nuk ishte nga pakujdesia, por e qëllimshme.

Sipas prokurorisë, këngëtarja u tërhoq për disa metra zvarrë, nga automjeti i drejtuar nga Kelmendi, ku ishte varur nga jashtë në xhamin gjysmë të hapur. Në momentin e frenimit të makinës, viktima është shkëputur nga mjeti, duke u rrëzuar në asfalt, ku ka pësuar dëmtime të rënda në kokë me pasojë vdekjen.

Madje mësohet se prindërit e këngëtares Emmy kanë kërkuar edhe dëmshpërblim financiar për vrasjen e vajzës së tyre nga biznesmeni kosovar.