Lajme Shqip Monday, 27 June 2011 15:07

Elbasan – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i shoqëruar edhe nga Kryetari i Asamblesë së PS-së, Gramoz Ruçi dhe deputetë të qarkut të Elbasanit, zhvilloi sot një takim me dyer të mbyllura me të zgjedhurit lokalë në Elbasan dhe strukturat e kësaj force politike në sallën e Teatrit “Skampa”.

Mësohet se një vend të rëndësishëm në bashkëbisedimin mes kryesocialistit Rama dhe të pranishmëve, ka zënë analiza e zgjedhjeve të 8 majit.

Sipas burimeve brenda selisë rozë mësohet se Rama ka deklaruar se fitorja në Qarkun e Elbasanit duhet të ishte më e madhe se kaq, ndërsa është ndalur në fitoren e vetëm dy bashkive, Gramshit dhe Elbasanit. “Për të arritur një fitore në të ardhmen, duhet të kemi një bashkëpunim të fortë me strukturat dhe përçarjet në parti të lihen mënjanë”, ka deklaruar Rama.

Në zgjedhjet e viti 2007-2011, Partia Socialiste drejtonte 5 bashki si Elbasanin, Cërrikun, Përrenjasin, Librazhdin dhe Belshin, tashmë kryeson në vetëm dy, Gramsh dhe Elbasan, çka tregon që ka një rënie të grafikut të votave në drejtim të Partisë Socialiste.