Lajme Shqip Tuesday, 05 February 2013 19:18

ELBASAN- 11 priftërinj ortodoksë të Elbasanit kanë sulmuar sot, At Nikolla Markun, i cili është bërë i njohur edhe për mbarë opinionin publik nga kritikat e vazhdueshme që lëshon për Kryepeshkopin Anastas Janullatos.

Priftërinjtë ortodoksë elbasanas dhe besimtarë të kishës së “Shën Thanasit” akuzojnë At Nikolla Markun për uzurpim të Kishës ‘Shën Maria’, e cila është një monument kulture me vlera të jashtëzakonshme.

Klerikët kërkuan ndërhyrjen e strukturave shtetërore për mbrojtjen e kësaj kishe, e cila sipas tyre po shkatërrohet nga një prift jo i ligjshëm, si At Nikolla Marku. Sipas tyre, At Nikolla Marku kërkon të fshihet pas retorikave nacionaliste boshe.

I menjëhershëm ka qënë edhe reagimi i At Nikolla Markut i cili shprehet se është një klerik i respektuar, ndërsa reagimin e 11 priftërinjve të kishës së “Shën Thanasit” ia atribuon Janullatosit.

“Jam një klerik i respektuar dhe i ligjshëm që u shërbej me devotshmëri e dashuri besimtarëve. Nuk më vjen i papritur sulmi i fundit i cili duket qartë se ishte i mërëorganzuar dhe i dirigjuar nga plaku Anastas Janullatos. Ajo që më vjen keq është se ende nuk po e kuptojmë se përse po xhindoset kaq shumë dhe kaq keq plaku Janullatos. Ajo që dimë të gjithë për të si uzurpator i kishës ortodokse ai po e manifeston hapur në të gjitha aspektet së fundi. Plaku Janullatos gjithmonë nuk i ka reshtur përpjekjet për të çuar ujin në mullirin e armiqve të ortodoksëve shqiptarë. Si një klerik me reputacion do bëj të gjitha përpjekjet për të mos e lejuar plakun Janullatos të nëpërkëmbë ortodoksinë shqiptare”, thotë ai.

Marku shton më tej se ai është veshur prift nga Sinodi i Kishës Ortodokese të Maqedonisë, ndërsa shprehet se ka mbështetjen e të gjithë besimtarëve

“Jam veshur klerik në mënyrën më të ligjshme të mundshme nga Sinodi i Kishës Ortodokese të Maqedonisë dhe kam mbështetjen e të gjithë besimtarëve ortodoksë elbasanas dhe këtë besim të tyre nuk mund të zbehin akuzat e një atyre që përdor plaku i xhindosur Janullatos. Nisur nga deklaratat e bëra prej inaçorëve të këtij kalibri përfitoj nga rasti që ti bëj thirrje të hapur plakut Janullatos që të heqë dorë nga nxitja e urrejtjes dhe përçarjes mes vëllezërve ortodoksë sepse kjo do ketë pasoja të rënda për të dhe të gjithë ata që kanë marrë përsipër një mision të tillë të tij kaq banal dhe të paskrupult. Plaku Janullatos nuk mund të ketë kurrë shansin që të nxisë luftën fetare mes vëllezërve ortodoksë shqiptarë”, tha ai.(B.W/LajmeShqip.com)